Kur Berisha shpallte ‘non grata’ të dërguarit e Pentagonit

Nga Ylli Molla

Fillimdhjetori i vitit të trazuar 1996. Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në SHBA, kur një zile e zgjatur trazoi qetësinë e apartamentit 141 Eleventh Street, South East Uashington DC. Telefonata vinte nga Shtëpia e Bardhë. Denny nuk e njohu zërin e Richard Schifter-it, këshilltarit të Presidentit Klinton për Sigurinë, i cili u detyrua të prezantohej. Ai iu drejtua Denny-t me fjalët: “Are you crazy?” “No!” iu përgjigj thjesht dhe shkurt ish-këshilltari amerikan në Tiranë. Pyetja e çuditshme e Schifter-it buronte prej deklaratës tronditëse të Denny-t disa ditë para largimit nga Shqipëria, kur ishte shprehur se shumë shpejt ushtria shqiptare do të shkatërrohej dhe vendi do të zhytej në kaos. Këto fjalë kishin shkaktuar pështjellim në Shtëpinë e Bardhë dhe Schifter e kishte më të thjeshtë që ta kërkonte përgjegjësinë te deklarata e papërmbajtur dhe jodiplomatike e ish-përfaqësuesit amerikan në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë. Për një çast ai u step nga përgjigjja e ftohtë dhe e prerë e Denny-t, që vijoi shpjegimin: “Unë isha luga brenda gjellës që po gatuhej atje…”.

Biseda e tyre u mbyll shpejt, ashtu siç po rrokulliseshin ngjarjet dramatike në Shqipëri. Nuk kishin kaluar veçse dy muaj dhe Shqipëria ishte përfshirë nga flakët e armëve, kur në shtëpinë e Denny-t mbërriti telefonata e dytë e këshilltarit Schifter. Kësaj radhe, zëri dukej më i zbutur: “A mund të pimë një kafe?…”, e ftoi ai ish-këshilltarin e ministrit Zhulali, parashikimi i të cilit kishte rezultuar profetik. “Yes” ishte përgjigjja sërish e prerë e Denny-t.

Tani që kanë kaluar plot dy dekada nga zgjedhjet e 26 majit 1996, një pjesë e misterit mbi ngrirjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së është zbardhur nga protagonistë të ndryshëm. Disa kanë dëshmuar në media, të tjerë kanë botuar artikuj dhe libra, duke hedhur dritë mbi pasojat tragjike që u derdhën në Shqipëri pas manipulimit të rezultateve të votimit. Pothuajse të gjithë dëshmitarët dhe analistët e çështjeve politike janë të mendimit se ndërhyrja e dhunshme në kutitë e votimit bashkë me shembjen e firmave piramidale e çuan vendin drejt krizës ekonomike dhe në pragun e luftës civile.

Por, pavarësisht nga raportet problematike me ministrin Zhulali, një vit më pas Denny trokiti në derën e apartamentit të tij, pas Presidencës. Për t’i përcjellë  një mesazh njerëzor ish-ministrit në një periudhë tejet të vështirë të jetës së tij (atëkohë Zhulali ishte në arrest shtëpie, i akuzuar për tradhti dhe mospërmbushjen e detyrës), por edhe për të mësuar diçka të re rreth misterit të ‘97-ës. Sidomos për hezitimin e krerëve të shtetit shqiptar përballë kërkesës amerikane për të përsëritur zgjedhjet e manipuluara në 40 zona. Biseda mes këshilltarit amerikan dhe Zhulalit ka mbetur sekrete deri sot. I vetmi që mund të dëshmojë mbi përmbajtjen e saj është Denny, pasi ish-ministri i Mbrojtjes ka ndërruar jetë në vitin 2002.

Në harkun kohor të këtyre dy dekadave, kolonel Lane është rikthyer disa herë në Tiranë, si dhe ka shërbyer për katër vite në Kosovë, pas ndërhyrjes së NATO-s. Dukej qartë se forca që e shtynte drejt trojeve shqiptare nuk buronte thjesht nga kërshëria për të parë ecurinë e punëve në vendin ku kishte shërbyer nga maji i vitit 1995 deri në dhjetor 1996. Vizitat e tij kanë treguar më shumë se kureshtje ndaj realitetit shqiptar. Siç e dëshmojnë miqtë e tij të afërt në Tiranë, Denny krijoi dhe konsolidoi një respekt të veçantë për shqiptarët si komb dhe si popull. Ai e kuptoi fare mirë thelbin e dramës sonë si njerëz të varfër e të sinqertë, por të qeverisur keq. Për të mbrojtur këtë mendim pozitiv, ai nuk kurseu as kritikat, duke shkuar deri në përplasje me ambasadoren amerikane Lino.

Duke gërmuar në skutat e arsyetimit pse Denny ishte dhe mbeti një mik i sinqertë i Shqipërisë, fillimisht kujtesa ndalet në vitet e hershme të rinisë, kur ishte ende adoleshent dhe një nga shokët e tij të klasës në shkollën e mesme në Angli ka qenë Leka I, djali i mbretit Ahmet Zogu, që atëherë jetonte në azil. Ata ishin bashkëmoshatarë, madje Denny ishte vetëm 25 ditë më i madh – lindur më 10 mars, ndërsa Leka në 5 prill 1939. Lane kujtonte vazhdimisht se Leka ishte një djalë i hedhur dhe karizmatik, që shpesh merrte rolin e liderit në klasë. Në ndeshjet e futbollit ai luante portier, madje i armatosur me pistoletë! Një fakt i çuditshëm që ka lënë gjurmë në kujtesën e mikut amerikan. Ndoshta Leka i ruhej ndonjë atentati prej njerëzve të Sigurimit të Shtetit, por kjo mund të ketë qenë edhe pjesë e pasionit të tij për armët, i materializuar në një koleksion të bollshëm. Për koincidencë, pistoleta në brezin e mbretit Leka u rishfaq në 3 korrik 1997, gjatë protestës për manipulimin e referendumit për rikthimin e Mbretërisë. Pikërisht në atë vit të trazuar që kishte parashikuar kolegu i tij i rinisë, Denny Lane para largimit nga Shqipëria, në dhjetor ‘96. Sigurisht, që Denny u është rikthyer mbresave dhe kujtimeve të veçanta me pasardhësin e mbretit të shqiptarëve gjatë muajve kur punonte si këshilltar i ministrit të Mbrojtjes në Tiranë.

Një shtysë tjetër duhet të ketë qenë historia e gjeneralit William Edward Horton (1868-1935), ish-kryetar i Shoqatës së Miqve Amerikanë të Shqipërisë në vitet ‘30. Në vitin 1997, kur i propozova për të shkruar një libër rreth veprimtarisë dhe ndihmës së tij si këshilltar për reformimin e ushtrisë shqiptare, Denny më sugjeroi me modesti se fillimisht duhet të shkruaja për ish-kolegun e tij, që kishte hedhur themelet e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Nisur nga këto rrethana specifike dhe njohja e mirë që kishte krijuar për vendet e lindjes komuniste (duke shërbyer në Kinë, Vietnam, Kamboxhia, Tajlandë, Hong-Kong, Bosnje, Maqedoni etj.) ai kishte fituar autoritetin e pakundërshtueshëm për të folur hapur dhe pa doreza diplomatike me politikanët dhe gjeneralët shqiptarë. Duke marrë sipër vetes edhe rrezikun e sulmeve që mund t’i vinin nga krerët e politikës zyrtare në Tiranë. Ashtu si edhe ndodhi realisht me goditjet e kamufluara që i bënë deri në largimin e tij si “person non grata”.

Për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, ai nuk e kursente ironinë as për kolegët e NATO-s dhe shefat e tyre në Bruksel. Sa herë që në zyrën e tij mbërrinte ndonjë ftesë nga përfaqësuesit e NATO-s në Tiranë, Denny pyeste përkthyesin: “Do të ketë edhe koktej?” Nëse përgjigja ishte po, atëherë Deni thoshte: “Do të shkojmë!” Në të vërtetë, sarkazma e tij buronte prej pakënaqësisë që i shkaktonte indiferentizmi i NATO-s karshi problemeve akute që kishte Ballkani dhe veçanërisht situata e rrezikshme ku gjendej Kosova. “Si mundet që NATO të bëjë konferenca dhe seminare ndërkohë që në Kosovë vriten gra e fëmijë me armë?!” shprehej ai. Për ta dëshmuar këtë bindje personale, ai kishte ekspozuar në zyrën e tij një karikaturë, ku paraqitej me një holl recepsioni dhe sipër kokës së punonjësit shkruhej: NATO. Njeriu matanë banakut kishte kthyer kurrizin, ndërsa njerëzit në holl shkonin nga të donin në mënyrë të çorganizuar.

Duke iu rikthyer zgjedhjeve të 1996-ës dhe acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, mund të thuhet se ato ndikuan drejtpërsëdrejti në nxitjen e mosbesimit të ministrit Zhulali ndaj këshilltarit amerikan. Dashje pa dashje, Denny Lane u përfshi në një mision tjetër- të ndryshëm nga ai për të cilin ishte dërguar- për zbutjen e gjakrave dhe tejkalimin e krizës politike të qeverisë shqiptare. Por, me sa duket, Berisha dhe Zhulali shpresonin se Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni do ta hidhnin pas krahëve atë që kishte ndodhur në zgjedhjet e përgjithshme, duke i falur përgjegjësit. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që është përsëritur disa herë me krerët e politikës shqiptare gjatë shekullit XX: krenari absurde përballë të mëdhenjve të politikës botërore. Denny Lane ishte i pari që e pësoi nga acari politik i dimrit 1996. Askush nuk i dëgjoi paralajmërimet e tij, teksa Shqipëria po rrëshqiste tragjikisht drejt greminës…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU