Kur Albert Veliun e konsiderojnë “të sinqertë” dhe Izet Haxhinë “gënjeshtar”

Nga Ardit Rada

Politika shqiptare ka qenë dhe mbetet mjeshtre për ta futur sistemin e Drejtësisë në qorrsokakë, edhe kur kjo e fundit mund të ketë pasur një fije vullneti për të qenë e paanshme. Si në rastin e 21 Janarit, ndalimin e gardistëve për vrasjet e bulevardit, sekuestrimin e kasetave filmike me qëllim hetimi apo pyetjen e dëshmitarëve, e të tjera si këto.

Muaji maj nisi me disa zhvillime që nuk i lanë radhë njëra tjetrës, duke filluar nga kthimi i Izet Haxhisë pas 20 vitesh, arresti shtëpiak i Saimir Tahirit dhe audio-përgjimi i pretenduar i PD-së ndaj Agron Xhafajt.

Duket se nxitimi i opozitës për t’i nxjerrë në fushëbetejë të gjitha armët njëherazi nuk është një taktikë, por synon zhvendosjen e vëmendjes së publikut dhe drejtësisë nga dëshmitari i vërtetë i ngjarjeve më të rënda në vend. Pikërisht Izet Haxhisë që mezi pritej 20 vite të dëshmonte para një gjykate shqiptare.

Janë sëpaku 16 dëshmi të ish-shoqëruesit të President Berishës që mendohet se do ta vejnë para bangës së të akuzuarit këtë të fundit. Ngjarje sa të harruara, po aq edhe me vlerë për një sërë dosjesh të mbuluara nga pluhuri duke përfshirë edhe atë të vrasjes së Azem Hajdarit.

Ndërkohë që pritet data se kur Haxhia do të dëshmojë para togave të zeza, Partia Demokratike duket se ka gjetur konkurrentin-dëshmitar të tij. Albert Veliu ishte një emër i panjohur deri më sot, dhe nga sot është një emër i diskutueshëm për fjalët e thëna. Edhe Haxhia është i diskutueshëm në ato që ka thënë para mediave, derisa të provojë vërtetësinë para një gjykate.

Por ka një dallim të madh mes Dëshmitarit Iks dhe atij Ypsilon: Haxhia iu dorëzua drejtësisë për të dëshmuar, ndërsa Veliu iu dorëzua PD-së dhe dëshminë e dha nga selia blu.

Analiza e fjalëve të vlonjatit, që sot për PD-në është “heroi” i tyre, tashmë është bërë gjerësisht nga mediat. Prej orësh janë zbardhur kontradiktat e tij për dënimet që ka kryer apo Agron Xhafajn koprac që s’i dërgoi një paketë në burg, por më pas ia futi djalin në punë si kamarier…

Nga ana tjetër, Izet Haxhia konsiderohet një “kriminel” nga Sali Berisha. Po ashtu edhe Saimir Tahiri, Agron Xhafaj e plot të tjerë që kanë qenë nën akuzë politike. Sepse t’i dorëzohesh vullnetarisht drejtësisë për t’u hetuar nuk është standard që Partia Demokratike e ka njohur ndonjëherë. Të pengosh drejtësinë dhe të mos dorëzosh të akuzuarit, kjo po! (Kujto të paktën gardsitët e 21 Janarit).

Shumë pikëpyetje ngrihen sot mbi Dëshmitarin X, që PD nuk e dorëzoi në Prokurori ashtu sikurse edhe audio-përgjimin. Madje treshja e juristëve as dënjoi t’i përgjigjej ftesës së organit të akuzës duke i mëshuar të vetës se kjo drejtësi është e kapur.

Gjithësesi, e kapur ose jo, askush nuk beson se Prokuroria do t’i marrë jetën Alibeajt, Bardhit, Salianjit apo Veliut. Thjeshtë kërkohet një dëshmi mbi ato që dinë apo kanë parë. /JavaNews

***

Disa nga dëshmitë e ish-truprojës së Sali Berishës

1. Vrasja e Azem Hajdarit
“Berisha ishte i informuar për ardhjen e Fatmirit në Tiranë që me 11 shtator dhe me stacionimin e tyre pranë PD që në momentin e parë. Ai, i alarmuar thërret në zyrën e tij Hajdarin, i cili po hezitonte të dilte të takonte Fatmirin në atë vend që do komprometonte Hajdarin, ashtu të kompromentuar para syve të Berishës. Biseda e nervozuar që ka bërë Berisha me Hajdarin në ato momente (bisedë e dëgjuar vetëm nga Linda Ihsani më vonë e vdekur në mënyrë të “papritur” si shumë të tjerë afër Berishës) tregon se Hajdari është urdhëruar që të dalë e të largojë ata që kishte sjellë vetë aty, pra Haklajt. Vetë nxitimi i Hajdarit gjatë daljes se tij e tregon këtë kërcenim. Po përse Berisha nuk njoftoi organet shtetërore se PD ishte rrethuar nga kriminelët tuaj, por përdori Hajdarin për t’i larguar ata?”.

2. 14 Shtatori ‘98
“Unë që kam qenë një nga zbatuesit e këtij skenari, për grusht shteti, me direktivë të Marshallit. I them Marshallit se ka ikur koha e budallenjve si puna ime, që sulmonin institucionet e shtetit për interesat karrieriste e antishqiptare të tij”, ka deklaruar Haxhia. Po ashtu, Haxhia ka folur edhe për direktivat e Berishës. “Ditën e këtij grushti shteti udhëzimet që vinin nga Berisha ishin të mos sulmohej e të mos merrej Presidenca, por vetëm Kryeministria e braktisur nga Nano, që i fiksuar pas plumbit që i la në tavolinën e tij, ndihmësi i tij, por shërbëtori i treshes Kastriot Islami, në 13 shtator, kishte marrë arratinë për Maqedoni”.

3. Hapja e depove të armëve
“Një herë pati thënë që depot e armëve i hapën rebelët e kuq, herën tjetër që erdhën nga deti ata që i hapën depot dhe tani, në fund, që ai paska lejuar hapjen e tyre për të armatosur popullin, që të mbrojë veten nga bandat e kuqe. E vërteta e hapjes së depove të armëve është ajo që ato depot i hapi populli i rebeluar i Jugut, për të rrezuar Berishën. Dhe Berisha, i fiksuar nga revolta me armë e nisur në Jug, urdhëroi hapjen e depove në Veri dhe shpërndarjen e armëve për militantët e PD në Tiranë, me qëllim që, konfliktin në mes tij e popullit të revoltuar kundër politikave të PD e Berishës, ta shndërronte në një konflikt Jug-Veri”.

4. Bashkëpunimi me Millosheviçin
“Tani na del e përrallis se depot i hapa që populli të armatosej e mbronte vetveten dhe armët të shkonin në Kosovë, që shqiptarët e Kosovës të mbronin pragun e tyre nga pushtuesi serb. Nuk ka hipokrizi e tallje më të madhe kur dëgjon këto fjalë nga goja e atij që ka furnizuar makinën e luftës së Millosheviçit me karburant e armë në gjenocidin e tij ndaj popullit boshnjak e atij të shqiptarëve të Kosovës. I thotë ai që ka përndjekur, përzënë dhe burgosur të gjithë patriotët nga Kosova, që ishin bërthama e parë e UÇK, duke inskenuar futjen e armëve në shtëpitë, ku banonin në atdheun mëmë, nëpërmjet falangave të SHIK-ut famëkeq të Gazisedes”.

5. Lidhja me UDB jugosllave
“Dihet tashmë se rolin kryesor për zgjedhjen e fitoren e Berishës dhe PD në ‘92 e luajti Elez Biberaj me Zërin e Amerikës, që e vuri në funksion të PD dhe Berishës dhe ambasadorin Rajerson, i ardhur çuditërisht nga Beogradi me një çantë, ku kishte dosjet e politikanëve të ‘rinj’ të pluralizmit shqiptarë të marra nëpërmjet kanaleve të UDB. Elez Biberaj ka qenë një shqiptar i arratisur në Jugosllavi e pas qëndrimit disavjeçar të familjes se tij u ndihmua nga UDB të emigronte në Amerikë. Aty, ai, me ndihmën e njerëzve të lobit serb në Amerikë, arriti të bëjë karrierë deri si këshilltar i Departamentit të Jashtëm Amerikan. Pra Berisha erdhi në pushtet i mbështetur nga lobi serb ne Amerikë që ka pasur ndikim të madh në administratën e Bushit në vitet ‘90 nëpërmjet Igellberger, i cili kishte lidhje e interesa ekonomike me Serbinë e konkretisht firmën Zastava”.

6. Për torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës
“Arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Atëherë mes nesh flitej se Remzi Hoxha kishte filmuar një takim të Berishës, Gligorovit e Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. Që ka pasë një takim Berisha-Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë. Nuk di për Millosheviçin, por ajo që më ka bërë përshtypje në atë takim është se asnjë nga shoqëruesit e Berishës nuk është lejuar të futet në brendësi të kësaj vile. Gjë që nuk na ka ndodhur kurrë në asnjë takim tjetër ndërkombëtar, madje as në Shtëpinë e Bardhë… Remziu ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK-ut. Atë kohë qarkulluan nën zë dy variante për trupin: njëri, që u transportua në det afër Lezhës me lundër dhe u hodh atje dhe, i dyti, që kufoma u dogj dhe u varros diku në anën e pasme të Dajtit”.

7. Plani për të vrarë Aleksandër Meksin
“Lajmi i shumëpritur për rrëzimin e avionit që mbante Meksin nuk kishte ardhur, sepse falë pilotit italian me mjaft përvojë në fluturimet e tij në vendet afrikane si Somali, Libi, kishte bërë një ulje të pamundur në pistën e errët të Rinasit duke shpëtuar jetën e Meksit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit shqiptarë, dhe duke shuar ëndrrat e Koplikut për t’u bërë kryeministër dhe ato të Marshallit për të hequr qafe një kundërshtar potencial të tij Aleksandër Meksin…”.

8. Plani për të vrarë Sabit Brokajn
“Sa për rastin e Dr. Sabit Brokaj është një kërkesë që i ka bërë Hajdari vëllait tim, e jo mua, për ta vrarë Dr. Sabitin. Vëllai im e ka hedhur poshtë këtë kërkesë të Hajdarit. Në atë kohë unë nuk flisja me Hajdarin pas ngjarjes te Stadiumi Dinamo. Por Azemi merrte çdo ditë në telefon në Presidencë dhe kërkonte të bashkohej me ne që ishim në Presidencë për mbrojtjen e Berishës. Dhe ka qenë kërkesa ime për Berishën në atë kohë, që pas këtyre lutjeve të Azemit, ai u përfshi përsëri në strukturat e PD në atë pranverë të ’97, pasi ai ishte i larguar nga këto struktura”.

9. Bashkëpunimi me terroristët
“Kishin ndryshuar personazhet, dikur në kohë të Berishës u merrte lekë arabëve për leje qëndrimi shtetasi Haxhi Bardhi, kushëri i afërt i Berishës e njeri i Gazidedes, tani u merrje lekë t’i me Klosin. Sepse këto 25 vite vetëm riciklime kemi patur në politikë e vjedhje, ikën një mashtrues e hajdut si puna jote e vjen një mashtrues e hajdut si puna e Flamur Nokës, ju jeni prurjet tipike të dy krahëve të këtij tranzicioni e riciklimi kriminal. Ti erdhe nga skutat e Sigurimit, ndërsa Muli nga skutat e UDB”.

10. Atentati ndaj Ambasadës Amerikane
“Është e vërtetë që ka patur një skenar për hedhjen në erë të ambasadës amerikane në vjeshtën e ’98, në prag të sulmeve të NATO ndaj Serbisë, duke përdorur celulat e Bin Laden në Shqipëri. Në këtë skenar, pa dijeninë time, do gjendesha në kamionin me eksploziv që do hidhe në erë ambasadën amerikane, por vrasja e Hajdarit e pengoi këtë skenar, vrasje në të cilën u gjenda i përzier pa dijeninë time”.

11. Eliminimi i figurave të PD
“Për kujtesë marshallit: A ke ndonjë njoftim apo të dhënë nga qytetari yt dixhital për mikun tuaj doktor në Itali të cilit i pate besuar strehimin e fëmijëve të tu e dhëndrit me supermbesën e vogël në arratinë e 13 Marsit ‘97? Pse të gjithë ish-funksionarët e PD, që dinin shumë për ty dhe ishin bashkëpunëtorë të ngushtë tuajt, pas sëmundjeve të ‘papritura’ të tyre i çove për ‘shërim’ në kliniken e këtij doktori, nga ku të gjithë u kthyen të ‘shëruar’ me përjashtim të njërit që nuk pati ‘fatin’ e këtyre të tjerëve të ‘shërohej, ‘sepse ra në fund të detit së bashku me helikopterin, që i dhe me urgjencë për ta çuar të ‘shërohej’ si të tjerët?”.

12. Bomba te kioska e Lush Përpalit
“Rasti i parë është vendosja e bombës tek kioska e Lush Përpalit. Ka qenë dita kur ti Ylli do ikje në Turqi për të marrë ndihma për gazetën tënde të partisë tek miqtë e Berishës. Para se të niseshe kemi folur për vendosjen e kësaj bombe, kuptohet me porosi të ‘marshallit’ dhe të kam thënë që sa do zbresësh në Turqi kjo punë është e mbaruar. Dhe e vërteta është se pa zbritur ti akoma në aeroportin e Stambollit, bomba është vendosur dhe i pari që ke marrë lajmin në tel. ke qenë Ti apo ke harruar? Mos më thuaj që kur zbrite në Stamboll nuk të pritën aty Miri i Xhikes me Ylli Kelmendin me porosinë time kuptohet”.

13. Bomba te zyrat e Sorosit
“Prindërit e mi të thjeshtë e të ndershëm më kanë edukuar të mos gënjej kurrë, të mos shpif, të mos vjedh, te jem i ndershëm e besnik. Ndërsa ti, kuptohet që ke marrë shumë nga zanati i babait tënd prej sigurimsi. Nuk e njof as Sorosin as soroistat. Por dua të kujtoj ty dhe Salehut se me porosi të tij kemi vendosur bombën në ndërtesën e këtij fondacioni në mars të ’97-s, sepse ky, sipas Salehut, po financonte rebelimin e kuq dhe gazetën e këtij rebelimi, “Koha jonë”.

14. Bomba tek VEFA
“Atë ditë që ka shpërthyer bomba tek VEFA kam qenë në zyrën e Agim Shehut. Kemi shkuar që të dy në vendngjarje. Pas dy ditësh u vu në lëvizje shteti. Berisha ka qenë në Dajt. Shkoi dhe e mori helikopteri dhe e çoi në Presidencë. I thashë kështu-kështu dhe ai e priti shumë qetë, “E di, e di”, më tha. Pas rreth 3-4 ditësh vjen një miku im i komisariatit numër 3, një polic i vjetër dhe profesionist.

Ai thotë që “unë e di kush e ka vënë bombën tek VEFA”. Polici më tha mua që ta transmetoja tek Berisha. Atë bombë e ka vu, vëllai i Il Mulletit. Vëllai Il Mulletit ka qenë bashkëpronar i firmës Shqiponja, ortak me Tritan Shehin, me Anton Gjergjin”.

15. Akuza për Shkëlzen Berishën
“Kam qenë dëshmitar vetë në distancë kur Zeni ka marrë 30 milionë lireta nga Miri i Xhikes tek stadiumi “Qemal Stafa”. Plus do të shtoja edhe diçka tjetër për Zenin; çfarë e lidhte Zenin e “vogël” me Fitim Gërxhalliun e firmës “Gjallica”? E pyes babë Saliun: A kishte dijeni që Zeni shoqërohej me Fitimin? Apo nuk e pa as Fitimin kur ishte i ftuar personal i Zenit në festimet e 28 Nëntorit në darkën që jepnit ju o Salë Mashtruesi. Po qe se edhe këtë e quan gënjeshtër, të hapen arshivat e TVSH dhe shihni kronikën se më ke shoqërohej Zeni jot i dashur”.

16. Klani numër një i mafies
“Klani numër një i mafies në Shqipëri është klani i Berishës, apo ai “Trustit të Gështenjave të Tropojës”. Ky klan i ka fillimet e tij në mesin e viteve ’90, por fuqinë e tij të madhe ekonomike e kriminale e arriti në qeverisjen e dytë të Berishës. Ky klan edhe në saje të lidhjeve me shumë fije të dukshme e padukshme me agjenturën serbe, arriti të fuqizohet dhe shtrijë ndikimin e tij në gjithë shtetin shqiptar.

Veprimtarinë e tij e nisi me kontrabandën e naftës dhe armëve në drejtim të ish-Jugosllavisë, me trafiqet e drogës dhe e vazhdoj me shitjen e aseteve dhe pasurive kombëtare. Edhe lufta që u bë ndaj bandave në dy vitet e para të sundimit të dytë të Berishës ishte një luftë për pastrimin e kundërshtarëve dhe pastrimin e rrugës për fuqizimin absolut të këtij klani, jo vetëm mafioz, por edhe antikombëtar”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU