Kumbaro inspekton Xhaminë Mbret: “Investojmë në Berat për një turizëm gjithëvjetor”  

Ministrja Kumbaro   ka inspektuar punimet në Xhaminë Mbret në Berat, ku prej disa muajsh kanë nisur kantieret e restaurimit të plotë të objektit.  Ajo e cilësoi Beratin dhe Gjirokastrën, dy krenari kombëtare, të cilat kanë pasaporta ndërkombëtare, të ruajtjes nga UNESCO.

Berati nuk është sot në fazën e mbijetesës, por të rijetëzimit. Katër herë më shumë vizitorë e kanë vizituar këtë qytet nga viti 2013 deri më sot dhe kjo ka ardhur si pasojë e një promovimi më të mirë. Në qendër është qytetari, pronari i shtëpisë, biznesi . Prandaj kemi vënë theksin në investime.  Në vitin 2018 Berati ka përfituar katër herë më shumë investime, si fuqizim I buxheteve publike, por edhe të projekteve të ngritura me partnerët privatë”.

Banka Botërore ka investuar 21 milionë dollarë për 4 qytete të Shqipërisë, një prej të cilëve është qyteti i Beratit , që ka nisur projektin me reabilitime rrugësh, banesash, etj.  Xhamia Mbret, Xhamia e Beqarëve dhe Teqeja e Helvetisë   priten  të jenë ofertat e reja turistike të programit “Rrugët e Besimit”. Gjatë vitit 2018 në Berat ka nisur  zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat:  Restaurimi i Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Helvetive.  Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.

 “Turizmi kulturor është gur i çmuar i Beratit, prandaj ky qytet është kantier i kulturës- u shpreh Kumbaro-Restaurimi i objekteve të kultit do të përmirësojë ofertën turistike të Beratit, duke dëshmuar për vlerat e arkitekturës, historisë, bashkëjetesës fetare dhe artit pamor me mrekullitë e pikturave murale. Berati është i qytetarëve, por me statusin e UNESCO-s është pasuri botërore. Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare ka të gjithë vëmendjen e duhur për të nxitur investimet”.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë  I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shekullin  XIX. Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU