Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro duke folur për turizmin dhe risitë e këtij viti u shpreh entuziaste për këtë sezon që siç tha ajo i ka kaluar pritshmëritë për nga fluksi i pushuesve. Ndër të tjera Ministrja e Kulturës tha detaje për projektet e reja, si ai për Galerinë e Arteve që merr një tjetër emër.
“Sivjet bum turistësh, kemi thënë që katër vite por sivjet është përtej parashikimeve. Jemi përpjekur të organizohemi ndryshe këtë vit, e para me paketa të plota udhëtimi por edhe me itinerare siç është ‘Rrugët e besimit’ apo itinerarin e kujtesës. Janë objektet e kultit, si të besimit katolik, ortodoks e mysliman që bëhen pjesë e tureve. Numri i objekteve të kultit që kemi restauruar vitet e fundit është i madh.
Kemi krijuar itinerarin e ‘Rrugëve të besimit’, si në Korçë, ku ka një numër të madh kishash në Voskopojë etj. Është dhe itinerari i kujtesës. Po kthejmë kujtesën në vende të vizitueshme. Muzeu i gjethit është një stacion i rëndësishëm. Jemi duke punuar për Spaçin.
Jemi duke përgatitur termat e referencës për të bërë muzealizimin e sitit. Do jetë objekt shtetëror, sit muzeal kombëtar për t’i dhënë rëndësinë Spaçit si një vend i vizitueshëm që në fakt për shkak të largësisë e terrenit kërkon shumë punë.
Përmes sistemit të sinjalistikës do të ndërtojmë. Kemi ngritur një grup pune me ndërkombëtarët dhe organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufi”. Kemi objekte të tjera të diktaturës në Gjirokastër. Sigurisht që kërkon punë t’i hapim”, tha Kumbaro, raporton “BalkanWeb”.
Ajo deklaroi se Galeria e Arteve kërkon riorganizim, duke i dhënë përgjigje dyshimeve nëse do të preket ky objekt pas Teatrit Kombëtar.
“Muzeu Kombëtar përgatit për një periudhë rehabilitimi. Brenda vitit do kemi projektin e ri për të kaluar më tej në zbatim. Galeria Kombëtare e Arteve merr emrin e ri Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Ka një fond të jashtëzakonshëm të veprave qoftë të para 100 viteve, qoftë të realizimit socialist. Godina është mjaft e amortizuar, kërkon riorganizim. Kemi projektin e radhës. Galeria Kombëtare ka statusin monument kulture dhe me ligj ajo nuk preket por rehabilitohet. Do të ketë një koncept të ri bashkëkohor dhe do të ketë teknologji moderne.
Ndërtuam 4 muze në mandatin e kaluar, besoj që të gjitha institucionet e mëdha kombëtare janë në listë sepse që kur janë ndërtuar nuk janë prekur”, u shpreh ministrja.
Duke shkuar në Jug, Kumbaro tha se Dhërmiu dhe Vunoi janë dy qendra historike në restaurim. “Janë 500 objekte, po rregullojmë rrugët, ndriçimin por kemi hyrë dhe në objektet private për t’u dhënë vlerë”, u shpreh ajo. BW
ma.me