Kullat në Tiranë? Rama: Debat idiot! Bashës do i duheshin 60 vite për bulevardin

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë inauguruar këtë të diel zgjatimin e ‘Bulevardit të Ri’, në Tiranë. Në fjalën e tij, kryeministri Rama deklaroi se shumë shpejt do të marrë jetë në këtë bulevard edhe një park i ri, që do të jetë me përmasat e parkut te Liqeni i Tiranës.

“Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet e duhura katër vite para zgjedhjes së Erionit do duheshin 60 vjet për të arritur këtu ku jemi sot. Mbase dhe 30 vjet tjera për të shkuar aty ku do të shkojmë deri në fund të vitit 2019. Ne jemi koordinuar së bashku. Jo vetëm po ndërtohet një bulevard i ri dhe krijohet një mundësi e re qarkullimi për banorët, por së shpejti do të marrë jetë dhe një park i ri, si ai i Liqenit të Tiranës. Kjo është vepra e dytë në historinë e Tiranës sa i përket përmasës së gjelbër pas parkut të liqenit”, deklaroi Rama

Më tej, Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për ndërtimin e kullave në kryeqytet, duke e cilësuar atë një debat idiot, pasi sipas tij, kullat janë shprehjet më kuptimplota të zhvillimit të kryeqytetit.

“Dua të nënvizoj dhe aspektin e zhvillimit ekonomik e social që do të sjellë çuarja përpara e kësaj pune, të dhënies së lejeve të ndërtimit për gjithë bllokun e ri që parashikon projekti dhe ku uroj të shohim sa më shpejt kulla të reja. Në Tiranë zhvillohet një debat idiot lidhur me ato që janë shprehjet më kuptimplota të zhvillimit të kryeqytetit, ndërtimet ikonike të Tiranës, kullat e planit francez, që do pasohen me kullat edhe në këtë anë të Tiranës. Bëhet fjalë për zhvillime të domosdoshme në të gjitha aspektet. Gjithçka thuhet lidhur me to për t’i kundërshutar është absurditet i plotë. Do kemi jo thjesht blloqe të reja banimi, por blloqe të një cilësie tërësisht të re. Sfida jonë është një sfidë komplekse, shumë më e vështirë aty ku duhet rregulluar, se aty ku mund të nis gjithçka nga e para. Sa herë duhet të bëjmë diçka të re ne duhet të përballemi me problemet e trashëguara për shkak të ndërtimeve së prapthi në të shkuarën, pa leje dhe pa asnjë plan. Ndaj dhe kostoja e zhvillimit sot në Tiranë është kaq e lartë. e rëndësishme është se çdo hap që hedhim sot është hap i sigurt që e ofron të ardhmen e Tiranës për ata që jetojnë sot në Tiranë. Projektet e bashkisë dhe të qeverisë për Tiranën, plus një sërë projektesh të përbashkëta, na jep mundësinë të themi se jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë ne do bëjmë shumë më tepër se sa është bërë në shumë vite, por në mandatin e ri qeverisës ne do bëjmë në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë shumë më tepër se sa është bërë në këto tre vite”, theksoi kryeministri

Veliaj: Betejën e kemi me kohën, jo me kundërshtarin. 

Më herët gjatë fjalës së tij Veliaj theksoi se falë investimeve në këtë zonë ky është viti i tretë pa përmbytje në Bregun e Lumit në Tiranë, ku janë sistemuar 8.3 km të Lumit të Tiranës.

Përsa i përket Bulevardit të Ri, Veliaj tha se po themelohet lagjia e parë ku e gjithë infrastruktura mendohet paraprakisht. Sipas kryebashkiakut kjo zonë pritet të strehojë rreth 100 mije persona deri në fund të vitit 2050.

“Betejën më të madhe nuk e kemi me kundërshtarin, por me humbjen e kohës”, tha Veliaj. Me sytë nga zgjedhjet e ardhshme, ai kërkoi që të kryeqyteti të mos pësojë me “lemza 4-vjeçare si ajo e vitit 2011, ku Tirana humbi shumë kohë”, nënvizoi ai.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU