Kukësi/ Trajneri Cungu i zhgënjyer për ekipin e tij

Një humbje që djeg shumë ishte kjo kundër Tiranës, një humbje e cila “minon” shumë objektivin e Kukësit për të rikthyer tek titulli kampion. Në përfundim të ndeshjes trajneri Armando Cungu ka folur për emisionin Gol pas Goli në SuperSport:

Çfarë pati Kukësi sot?

Ndodhi ajo që po ndodh që në fillim të këtij sezoni të ri. Ekipi nuk po shfaqet me atë nivel si në dy fazat e para. Bëmë një pjesë të parë shumë të dobët, ndryshuam edhe në pjesën e parë vendosjen në fushë. Ekipi pati më shumë grintë në pjesën e dytë, por pësuam një gol karrambolesk, por edhe për përgjegjësi timen. Hodha të gjithë në sulm, edhe Shametin, për të pësuar.

Diferenca 8 pikë me Partizanin…

Më shumë kemi folur për kampion, se sa kemi dhënë në fushë. Më shumë kemi dalë të parët me flamur, për mediat, dhe jo në fushë. Te Partizani kanë ndenjur më shumë me këmbë në tokë, dhe kanë bërë më mirë se ne. Kemi marrë 5 të rinj, dhe duan kohë. Mund të më gjykoni moralisht, por blerjeve i duhet dhënë mundësi të shfaqin veten. Deri tani, nuk janë lidhur akoma me ekipin, por në një farë mënyrë kemi prishur fizionominë e lojës. Kjo është përgjegjësia ime.

A vuajti ekipi fitoren e djeshme të Partizanit?

Edhe kjo, indirekt ndikon. Lojtarët e mendojnë se duhet fituar me çdo kusht. Por, nuk fitohet me çdo kusht, fitohet duke zbatuar detyrat në fushë. Kjo i sjell edhe presion. Unë kam mendimin që ekipet rivale duhet të luajnë në një ditë dhe një orar.

E kuptuat se nuk do funksiononte me 3 mbrojtës. Problemi i golit?

E keni parë vetë, deri dje jemi ankuar se kemi humbur raste. Sot kemi Rexhinaldon dhe Shkurtajn. Sot shpërdoruan raste Shkurtaj, Rexhinaldo, Melo, edhe Rama. Kam hedhur në fushë të gjithë ata që kanë ardhur, por duan kohë të ingranohen në fushë. Kemi oshilacione, dhe po kam vështirësi edhe te zgjedhja e sistemit të lojës. Na kanë ardhur shumë të rinj, edhe Rrumbullaku, pasi për 2 muaj nuk ka qenë në lojën tonë prej dëmtimit.

A ndiheni në presion nga klubi? A janë prishur ekuilibrat prej blerjeve të reja? Nuk e keni me imponim të fusni ata që kanë ardhur në janar. Apo ka ndonjë direktivë nga klubi?

Nuk kam asnjë presion, dhe nuk e kam problem. Çfarëdo vendimi të marrë klubi, nuk e kam problem. Unë di ta bëj mirë punën time. Edhe më parë, kemi bërë një ekip që po merrte pikët e duhura, dhe po luajmë gjithë kohës jashtë fushës sonë. Jam i qetë, dhe nuk e shoh si problem. Unë, moralisht dhe profesionalisht duhet t’i jap mundësi lojtarëve. Në të kundërt, edhe unë do marr vendimet e mia, do i shoh lojtarët që fus. Asnjë drejtues, nuk më ka bërë presion të fus ndonjë lojtar të caktuar. Nuk ia lejoj as vetes të më bëjnë kështu presionesh. (BW)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU