Kujtimet e Kristaq Ramës: Përplasja me Enverin për monumentin në Elbasan

Gazeta Dita ka botuar një shkrim të Kristaq Ramës, në të cilin ai flet për disa takime me Enver Hoxhën.

Në të flitet për bisedat e tyre, për skulpturat.

Më poshtë po e sjellim shkrimin e plotë.

Nga Kristaq Rama

Në vitet e parë të pasçlirimit, kur isha nxënës në Liceun artistik, më caktuan të shoqëroja shokun Enver në lozhën që ishte caktuar për të, në një shfaqje që jepte shkolla jonë në skenën e Teatrit Popullor. Kish to emocionet e natyrshme prej nxënësi dhe nuk dija ç’të flisja.  Po shoku Enver më çliroi vetë. Më pyeti nga isha, përse studioja dhe unë iu përgjigja.

-Ja , sa bukur, – tha i kënaqur, – ti, bir shoferi ke ardhur nga Durrësi të studiosh në shkollën e parë artistike që është krijuar në vendin tonë. Më kanë thënë që ka edhe disa të rinj, që kanë qenë partizanë. Pushteti popullor prandaj  e ka hapur këtë shkollë që ju, fëmijët e popullit, fëmijët e punëtorëve dhe të fshatarëve, të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, të bëheni artistë. Dhe me siguri do të bëheni,  se populli ynë gjithmonë e ka dashur artin dhe në gjirin e vet ka pasur gjithmonë artistë të shquar,  por regjimet e kaluara antipopullore nuk u kanë krijuar kurrë mundësi atyre që të shkollohen sepse kultura dhe arti kanë qenë privilegj vetëm i një pakice të pasurish.

Sot ne kemi vetëm Liceun Artistik të Tiranës, por më vonë do të krijojmë dhe shkollat tona të larta, prandaj ju duhet të mësoni mirë, merruni zanatin mjeshtrave që ju mësojnë, siç është Odise Paskali, që të bëheni artistë të zotë ashtu siç iu do populli dhe partia.

Ky ishte takimi i parë me shokun Enver. Që atëherë kam pasur mjaft raste që më kanë lënë mbresë.  Po një ngjarje nuk do ta harroj kurrë. Në vitin 1962, shoku Enver bëri një vizitë në Galerinë e Arteve. Më pyeti se çfarë kisha në duar.  I thashë se po punoja për monumentin e Kostandin Kristoforidhit bashkë me Mumtaz Dhramin. Shoku Enver më përgëzoi dhe shtoi:

-Partia gjithnjë i ka vlerësuar figurat e shquara historike të popullit, jo vetëm të luftës por edhe të kulturës kombëtare. Kristoforidhi ka qenë një studiues i shquar i gjuhës shqipe. Ai ka shkruar vepra të rëndësishme siç është “Fjalori i gjuhës shqipe”, një vepër e shquar shkencore.  Në punën e tij, ashtu si dhe mjaft atdhetarë të tjerë të mëdhenj të Rilindjes, ai u frymëzua nga idealet e lirisë kombëtare. Ai ishte i lidhur me popullin dhe nga populli mësoi shumë e mori shumë thesare, që e ndihmuan në punën e tij për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës letrare nga barbarizmat e huaja.  Kristoforidhi ishte një atdhetar me ide përparimtare dhe besimin e tij të madh e mbështeti te njerëzit e popullit.  Prandaj dhe ju të tillë duhet ta bëni në veprën e tij.

Mbas disa muajsh, kur më pa në një takim, më thirri dhe më tha:

-Si po ju vete puna me monumentin? Kur isha në Elbasan kam parë dhe vendet se ku mund të vendoset Kristoforidhi. Ku keni menduar ju ta vini?

-Ne kemi menduar në lulishten para Komitetit Ekzekutiv ose në atë pranë murit të kalasë, sepse vende të tjera nuk ka, – i thashë unë.

– Jo,- më tha shoku Enver. –Atje nuk është vend i mirë për monumentin.  Më poshtë, mbasi kalon murin e kalasë, ka një vend me një lulishte të vogël që është edhe në qendër, edhe me pika më të shumta soditjeje.

Unë iu përgjigja menjëherë se aty nuk mund ta vinim se s’ka vend. Në fakt, pikërisht në atë shesh që sugjeronte shoku Enver ishte vendosur busti i tij.  Edhe shoku Enver e kishte parë dhe e dinte mirë këtë gjë, prandaj shtoi duke buzëqeshur:

-Ka vend, ka. Ju rregullojeni, bëni ndonjë lëvizje dhe unë mendoj që atje ta vendosni. Punë të mbarë!

Kjo e vështirësoi punën. Lëvizja që mund të bëhej ishte të lëviznim bustin e shokut Enver dhe ta vendosnim gjetkë, dhe në shesh të ngrinim monumentin e Kristoforidhit. Punë që s’bëhej. Njoftuam Komitetin e Partisë të Rrethit të Elbasanit, por sekretari nuk pranoi. Atëherë edhe ne nuk e menduam gjatë. Por kur po përfundonim monumentin, në studio erdhi shoqja Nexhmije. Pasi pa punën, na pyeti për bazamentin. Kur i thamë që po e ngremë në lulishten pranë Komitetit Ekzekutiv, ajo u shqetësua dhe më tha:

-Po ti a e dëgjove porosinë e shokut Enver?

Ishte porosi e shokut Enver: Njerëzit e ditur të popullit, njerëzit që kishin punuar e luftuar për të, të vendoseshin në vendet ku shiheshin e të kujtoheshin më mirë.

Siç mora vesh më vonë,  shoqja Nexhmije kishte shkuar vetë në qytetin e Elbasanit dhe kishte biseduar me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, të cilit ia kishte thënë këtë mendim. Megjithatë ai e kishte biseduar përsëri me shokun Manush Myftiu, që në atë kohë ishte Ministër i Arsimit e i Kulturës dhe vetëm pas kësaj bisede “ishte dorëzuar”.

Ky ishte një nderim i madh që u bënte udhëheqësi ynë figurave të shquara të kombit. Të nesërmen më thirrën në Elbasan me urgjencë dhe brenda 24 orëve u bë spostimi i bazamentit.

Në vitin 1966, besoj ka qenë muaji mars,  në një vizitë që bëmë në shtëpinë e shokut Enver (në mos gabohem kanë qenë edhe shoku Çesk Zadeja e Ismail Kadareja)  në një moment hodha vështrimin në bibliotekën e tij të pasur dhe pikërisht në atë vend ku ishin vendosur librat e artit, shoku Enver më thotë:

-Po sheh librat e artit Rama, dhe siç duket i njeh nga formati. Janë libra të mirë dhe botime speciale, për artin.  Unë i studioj nganjëherë ato. Mirë do ishte që artistët t’i kishin këta libra, por tani ne nuk kemi mundësi, sepse janë të shtrenjtë. Por biblioteka, e sidomos ajo e Institutit të Arteve, duhet t’i kenë patjetër, sepse janë pasqyrë e kulturës botërore. Sigurisht në ta përfshihen të tëra rrymat, shkollat dhe  drejtimet artistike, prandaj ju duhet t’i njihni njëherë mirë vetë dhe t’ua tregoni edhe studentëve. Por duhet t’u shpjegoni dhe t’u zbërtheni përmbajtjen ideore, estetike dhe filozofike sidomos të artit të shekullit XX,  duke filluar pak më parë, bile nga impresionizmi, kubizmi e gjer tek ekspresionizmi, surealizmi, abstraksionizmi e të gjitha drejtimet artistike, sepse rinia dëgjon për to dhe do t’i dijë e t’i shohë. Prandaj ju pedagogët dhe artistët e formuar ideologjikisht duhet t’ua shpjegoni dhe t’ua bëni të qartë thelbin reaksionar të artit borgjez në mënyrë që ata të mos i çoroditë efekti  jashtëm i tyre.

Ne kemi piktorë dhe skulptorë shumë të mirë, që bëjnë vepra të bukura e ndoshta edhe më të mira se këto që janë këtu (me gishta na tregoi dy portrete në vaj të Marksit e të Leninit, të punuar nga piktorë sovjetikë), por unë i mbaj edhe i ruaj se m’i ka dhuruar Stalini. Kurse në zyrë, – theksoi ai, kam vënë pikturën e Guri Madhit.

Porositë e shokut Enver për artin, porosi të vazhdueshme të një njohësi dhe vlerësuesi të rrallë ishin jo vetëm mësime, por nxitje e madhe për ne.  Sa herë takohej me shkrimtarë dhe artistë ai linte porositë e tij, mendimin e tij,  nxitjen dhe ndihmën e madhe për ta.

Për vizitën që na bëri në studio në qershor të vitit 1969 nuk do zgjatem, sepse këshillat që na dha janë shumë të qarta në letrën që na dërgoi mbas disa ditësh. Vetëm dua të shtoj se në fillim na bëri këtë pyetje:

-Ku i keni “çirakët”, ku i keni nxënësit? Ju, që tani jeni mjeshtër me përvojë, kur bëni vepra të tilla të mëdha duhet të merrni djem të rinj, të talentuar, që edhe t’ju ndihmojnë, por edhe të mësojnë, sepse kjo është një shkollë e madhe për ta. Ju dini më mirë se unë se mjeshtrit e mëdhenj të Rilindjes apo edhe më të hershmit, nuk bënin shkolla arti, sepse të tilla as që kishte, por mësonin në punishtet  që drejtoheshin nga artistët e shquar. Kështu kanë mësuar edhe Mikalonxhelo e Rafaeli apo jo? Kështu të bëjmë edhe ne, të mësojmë nga mjeshtrit tanë, të mësojmë gjithnjë nga njeri-tjetri.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU