“Kujtimet dhe ëndrrat pakufij”, rrëfimi i Gilman Bakallit që nuk duhet humbur

Nga Albina Gjergji*

Mjeshtër i fjalës, urtësisë dhe thjeshtësisë!

Duke kërkuar një material në email, rastësisht më del përpara kjo intervistë e imja me prof. Gilman Bakallin.
Viti 2009.

Asokohe ai ishte në fund të mandatit të tij si deputet i PD-së në Shkodër, ndërsa unë punoja për suplementin “Studenti” tek gazeta “Panorama”.

Mendoj – ndoshta jam subjektive – se kjo intervistë do të mbetet një nga bisedat më të këndshme e të rralla që është zhvilluar ndonjëherë me Gilmanin. Kjo edhe për faktin se ndryshe nga pyetësorët e zakonshëm të gazetave, në retro arrita t’i “vidhja” jetën studentore dhe disa prej emocioneve të pa bëra publike më parë.

Pusho në paqe!

Intervista

Jeta studentore mbetet padyshim një nga periudhat më të bukura që gjithsecili prej nesh arkivon në kujtimet e tij. Shkallët e universiteteve, zhurmat e korridoreve, auditoret ku zhvillonim seminaret, ethet e sezonit, përsëritjet nën zë të leksioneve dhe… argëtimet me shoqëri “përtej mureve të gurta” të Fakultetit janë vetëm disa nga copëzat e mallit që na vijnë ndër mend sa herë kthehemi mbrapa në kohë.

Një nga personazhet që ndjen përmallim të fortë teksa bën një retro ngjarjesh është edhe Gilman Bakalli, ish student i degës Gjeologji-Miniera në Universitetin e Tiranës, sot deputet i Partisë Demokratike për Shkodrën.

Në një bisedë sportive dhe mjaft miqësore me të, ai na rrëfen sesi e kujton veten student përballë miqve dhe profesorëve; përballë pasioneve dhe censurës së komunizmit, përballë rebelimeve të moshës dhe pamundësive, si dhe përballë sfidave të ndryshme, që jeta herë pas here duket se nuk ia ka kursyer…

 Për çfarë keni studiuar, në ç’vit dhe a ka qenë dëshirë e juaja personale të studioni në këtë degë?

Kam nisur studimet në vitin 1987 në degën Gjeologji – Miniera në Universitetin e Tiranës, dy vjet pas mbarimit të maturës. Në atë kohë kjo degë nuk preferohej nga shqiptarët dhe shteti çonte aty kryesisht njerëz me biografi jo të pastër politike, siç ishte rasti im. Preferencat e mia kanë qenë gjuha angleze dhe ekonomia, por sistemi komunist i planifikimit, nuk merrte parasysh dëshirat e individëve për të studiuar sipas dëshirës, kështu që u detyrova ta pranoja studimin në këtë degë.

Në vitet që ju keni mbaruar studimet, sa të përkushtuar e shikonit brezin tuaj, krahasuar me brezin e sotëm?

Sigurisht që ka patur një përkushtim më të madh ndaj studimit në fund të viteve ‘80 se sa konstatohet tani. Përgjithësisht libri në vetvete ka patur një vlerë shumë më të madhe se ç’e ka sot. Ndoshta edhe për faktin se në shumë raste ai ishte një mall i ndaluar. Industria e zbavitjes në Shqipërinë e asaj kohe nuk ka pasur nivelin e sotëm, kështu që ishte më e kollajtë t’i përkushtoheshe studimeve.

Po ju sa sistematikë keni qenë në studime dhe sa hapësirë i jepnit moshës për ta jetuar energjinë saj?

Duke mos patur mundësinë për të studiuar në degën që preferoja, nuk kam qenë sistematik në studime dhe pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar duke përkthyer poezi dhe tregime nga autorë të letërsisë amerikane dhe angleze, të cilat i botoja në gazetën “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë”.

Cili ka qenë kujtimi më i bukur dhe “çmenduria” më e madhe që keni përjetuar gjatë jetës tuaj studentore?

Kujtimet më të bukura lidhen me ekspeditat që bënim çdo vit nëpër qytetet dhe malet e Shqipërisë dhe praktikat ushtarake të përvitshme në Mamurras. Më kujtohet njëherë, po bënim qitje në fund të periudhës njëmujore të orës ushtarake në Mamurras. Futeshim me radhë në një bunker, prej ku, me ndihmën e profesorit, bënim qitje. I vjen radha një studenteje. Futet brenda në bunker dhe sakaq del duke thërritur e lemetitur. Kur të gjithë ne studentët po prisnim të dëgjonim shkakun e panikut të saj, del profesori nga bunkeri duke thërritur edhe ai: “Jo unë, jo unë, por gjarpri!” I shkreti profesor, donte të sqaronte sa më shpejt se studentja kishte dalë jo sepse ishte ngacmuar prej tij, por nga gjarpri (qesh).

Po më i hidhuri i atyre viteve të komunizmit?

Kujtimi më i keq është padyshim ai shërbimi absurd, dezhurni, që bënim cdo muaj në godinën ushtarake të Qytetit Studenti. Akoma e kujtoj si student përjetimin deprimues që ndjeja, kur më zgjonte kolegu në orën 2 të mëngjesit, duke më thënë se ishte radha ime për të marrë karabinën e për të dalë jashtë për nja dy orë.

Jeni natyrë që ruani miqësi me shokët dhe shoqet e Fakultetit? Po me pedagogët?

Shumë prej shokëve e shoqeve të Fakultetit i kam takuar gjatë viteve të emigracionit, me disa të tjerë e kam rifreskuar në Facebook miqësinë. Të tjerë i kam takuar si funksionarë nëpër institucione të ndryshme të shtetit. Një ndër pedagogët, me të cilët e ruaj akoma miqësinë eshtë profesori karizmatik i paleontologjise, Eftim Dodona.

Zhargonet që përdornit gjatë jetës studentore, ka patur besoj?

Ka qenë e zakonshme në atë kohë (me siguri duhet të vazhdojë kjo traditë) që, për studentët e një fakulteti viheshin nofka. Kështu përshembull, studentët e gjeologjisë kishin nofkën “lepujt”, ato të minierës e kishin “uritha”, ato të filologjisë e kishin “filoqylsa” (në kuptimin që kjo degë merrej qyl) etj. etj..

Në këndvështrimin tuaj, si dhe sa ka evoluar miqësia në ditët e sotme, krahasuar me kohën kur ju ishit studentë?

Mendoj se koncepti i miqësisë ka evoluar duke marrë forma të ndryshme, falë zhvillimit të teknologjisë dhe mjeteve të komunikacionit. Në atë kohë nuk i shkonte kujt ndërmend se miqësia tradicionale do të pasurohej me forma të miqësisë virtuale, siç po ndodh me miqësinë ne facebook. Koha e shkurtër, brenda së cilës është kryer ky mutacion, na lejon të flasim jo për evolucion, por për revolucion të konceptit të miqësisë.

Në këndvështrimin tuaj, cili ka qenë avantazhi dhe disavantazhi i të studiuarit në ato vite?

Avantazhi më i madh ka qenë koha fizike që të lejonte një përkushtim maksimal studimit. Disavantazhi më i madh lidhet me pamundësinë për të zgjedhur disiplën shkencore dhe pamundësinë për të qenë i lidhur me literaturën bashkëkohore.

Sakrifica më e madhe që ju është dashur të bëni në kohën kur keni studiuar?

Sakrificën më të madhe për studimin tim e ka bërë familja ime, e cila në kushte jashtëzakonisht të këqija ekonomike, arriti të financonte studimin tim universitar. I admiroj prindërit e mi, të cilët, pa patur vetë një arsimim të lartë e kishin kuptuar rëndësinë maksimale që ka universiteti për jetën e një njeriu.

Në kohën kur ishit studentë, e kishit menduar ndonjëherë që në një të ardhme mund t’i përkushtoheshit politikës?

Kur je i ri, student për më tepër edhe në një vend të mbyllur hermetikisht si Shqipëria, liria e vetme që zotëron është ajo e të ëndërruarit. Dhe ëndrrat e mia në atë kohë nuk kanë njohur kufinj!

*Shënim: Ripublikim. Kjo intervistë i përket vitit 2009, dhënë gazetares Albina Gjergji për suplementin “Studenti” në gazetën “Panorama” dhe ripublikohet me rastin e 50-vjetorit te lindjes se të ndjerit

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU