Kujt po ia heq bukën e gojës Edi Rama?

Nga Ardit Rada

Prezantimi i kabinetit “Rama 2” është shoqëruar këto ditë të fundgushtit me komente dhe pikëpyetje rreth emrave të rinj dhe pretendentëve që u lanë jashtë. I gjithë ky debat nisur nga simpatitë personale të qytetarëve duke anashkaluar operacionin më të vështirë dhe më të rëndësishëm që pritet t’i nënshtrohet administrata publike.

Sikurse është bërë e ditur nga analizat apo dhe detaje të dhëna nga vetë Rama, me shtatorin pritet të nisë shkrirja e të paktën 40 agjencive dhe institucioneve shtetërore. Përveçse një stërmundimi punonjësish që do t’u duhet të zhvendosin zyrat dhe të njihen me “job description” e ri, kjo shkrirje do t’i sjellë qeverisë shqiptare edhe një faturë të majme. Janë një sërë nëpunësish civilë me status që në rastin më të mirë sistemohen në një vend tjetër pune. Dhe në atë më të keq, një proces i shkurtër gjyqësor te Administrativja u jep disa rroga bonus për vendimin e qeverisë.

Mirëpo këto miliona janë të justifikueshëm kur merret parasysh se qeveria nuk do të shpenzojë më katër vitet e ardhshme për së paku 7 ministri që u shkurtuan. Duke bashkuar dhe mbyllur dikastere, Rama duket se po zhvillon edhe një goditje të fundit politike. Që do të thotë se emërimet e aleatëve deri dje në “tepsinë” që kryeministri e lakon prej muajsh, do të ikin në kuadër të ristrukturimit të ministrive.

I habitshëm është fakti se pjesa më e madhe e dikastereve që Edi Rama u ka vënë kyçin janë pikërisht ministritë e drejtuara nga LSI, ku numri i të punësuarve si drejtorë dhe punonjës nga ish-aleati është edhe më i madh. Kësisoj, Ministria e Integrimit dhe Ministria e Transporteve mbyllen përgjithmonë. Fjala “integrim” dhe “transport” madje nuk i është bashkangjitur ndonjë ministrie tjetër çka i ul shanset për transferim punonjësish nga njëra zyrë te tjetra. Interesant është pjesa e Ministrisë së Mjedisit, që bashkohet me Turizmin por që ky bashkim do të shoqërohet me zëvendësime. Që do të thotë se disa drejtorë të Mjedisit do t’i hapin vendin disa të tjerëve për Turizmin sapo struktura e re t’ia behë në derë.

Operacioni “Rama 2” mbi ministritë ka lënë të paprekur Drejtësinë dhe Bujqësinë. Me të parën kryeministri i lau duart kur kërkoi largimin në masë të krerëve të Hipotekave. Dhe për t’i dhënë goditjen e fundit, qeveria e re do ta bashkojë Hipotekën me një sërë institucionesh të tjerë që lidhen me pronën. Ndërsa Bujqësia, mbetet e pandryshuar por do të ketë në krye krahun e djathtë të Ramës në kabinet: Niko Peleshin. Dhe Peleshi si ish-kryetar Bashkie, ish-prefekt, deputet dhe ish zv.kryeministër nuk do ta ketë aspak të vështirë pastrimin e drejtorive nga emërimet politike që nuk u larguan gjatë muajve të vapës që lamë pas edhe pse dashuria mes Ramës dhe Metës kishte përfunduar.

I gjithë strukturimi i kabinetit “Rama 2” duket se ka qenë i mirëmenduar për një operacion të pastër, ligjor. Gjithçka u prezantua para një opozite të ndarë në dysh, që nuk sheh dot pasojën dhe as shkakun, por u bën biografinë ministrave të rinj sikur do të bëjnë krushqi. /JavaNews

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU