Kufiri 1-milionësh i ndryshimit

Nga Eduard Zaloshnja

Para 200 vjetësh, Hegeli arriti në përfundimin se ndryshimet sasiore në shoqëri sjellin ndryshime cilësore. Ky përfundim i Hegelit është përdorur nga filozofë të ndryshëm (të majtë e të djathtë) në këto 200 vjet, për të mbështetur teori më të sofistikuara të zhvillimit të shoqërisë njerzore, por faktet empirike kanë treguar se formula e thjeshtë dialektike e Hegelit është vertetuar në përgjithësi nga historia.

Në 28 vjetët e fundit, formula e Hegelit është vërtetuar dy herë në Shqipëri. Në vitin 1992, mbi 1 milionë shqiptarë votuan për t’i dhënë fund qeverisjes së PPSh-së. Do të duhej të kalonin 20 vjet qysh atëherë, që një ndryshim tjetër i madh të ndodhte me 1 milion vota – 1 milionë shqiptarë votuan për t’i dhënë fund qeverisjeve të Berishës.

Duke ndjekur logjikën e formulës së Hegelit, lind pyetja se çfarë ndryshimi tjetër i madh mund të pritet në vitet e ardhshme. Basha të zëvendësojë Ramën, apo thënë ndryshe, PD-ja të zëvendësojë PS-në në qeverisje? Në gjuhën popullore, ky do të ishte një ndryshim i tipit “Ali Hoxha në vend të Hoxhë Aliut”.

Kur Basha ishte ministër i transportit, KLSH-ja dhe prokuroria arritën në përfundimin se ishin shpërdoruar 220 milionë euro për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Kur Basha ishte ministër i brendshëm, kabllogramet e ambasadës amerikane (të rrjedhura nga WikiLeaks) tregonin se ishin liruar kriminelë nga burgu, për të ndihmuar PD-në në zgjedhjet e 2009-ës.

Tani që Rama është kryeministër, kostot për kilometër të rrugëve janë të krahasueshme me të Rrugës së Kombit, ndërkohë që ka indicie se bashkëpuntorët më të afërt të tij politikë mund të kenë përdorur grupe kriminale për sigurim votash…

Mund të vazhdohet me një listë të gjatë të ngjashmërive mes qeverisjes së PD-së dhe PS-së, duke filluar nga emrat e biznesmenëve dhe mediave që janë gjithnjë pranë qeverisë (pavarsisht se kush është në pushtet), e deri tek punësimi i militantëve në administratën shtetërore (të cilët lëvizin sa herë lëvizin partitë nga pushteti).

Por le të kthehemi tek ndryshimet sasiore.

Në vitin 2013, vetëm 400 mijë banorë të Shqipërisë në moshë votimi nuk morën pjesë në zgjedhje. Në vitin 2017, numri i mospjesëmarrësve u rrit – arriti nivelin gjysëm million. Ndërsa nga një sondazh që kreva së fundmi, rezultonte se rreth 600 mijë shqiptarë në moshë votimi nuk kanë opinion pozitiv për asnjërin nga politikanët kryesorë (shihni grafikun shoqërues).

Këto shifra tregojnë se në shoqërinë shqiptare po ndodhin ndryshime sasiore, të cilat mund të sjellin dikur një ndryshim cilësor – daljen e një force të re që do të përfaqësojë pikërisht njerzit që nuk e gjejnë vete as te PS-ja e as te PD-ja (apo tek satelitet e tyre).

Dhe duket se ndryshimet e mëdha në Shqipëri ndodhin vetëm kur 1 milion shqiptarë e ndajnë mendjen se duhet bërë ndryshim. Sot jemi ende larg kufirit 1 milion, por zgjedhjet e ardhshme (lokale e parlamentare) do të na tregojnë nëse kurba drejt 1 milionëshit do ta vazhdojë ngjitjen si deri më sot. Sa më shpejt të arrihet 1-milionëshi i mosvotuesve në Shqipëri, aq më shumë shpresë do të ketë se e ardhmja e fëmijve e nipërve tanë do të jetë më e mirë…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU