• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Kufijtë na ndajnë, lumenjtë na bashkojnë

by Java News
02/11/2015 17:50
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Lajmi i ditëve të fundit lidhur me ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në  lumin Radika, brenda Parkut Kombëtar të Mavrovës është një shenjë e mirë se përpjekjet e ambjentalistëve për mbrojtjen e lumenjve nga digat po mbështetet nga Institucionet më të rëndësishme evropiane.

Më konkretisht: në datë 1.11.2015 është publikuar lajmi që pas rekomandimit të Këshillit Evropës, mbështetur  paraprakisht në studimin e grupit të ekspertëve të Konventës së Bernës për ndalimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Mavrovës, Banka Botërore dhe Berzh tërhiqen nga financimi i HEC-it në Boshkovo Most dhe Lukovo Polje në lumin Radika në Maqedoni.

Ky lajm na bën të shpresojmë se këto institucione  nuk do të mbeten indiferentë edhe për rastin e lumit Vjosa në Shqipëri.

Nga Beogradi, Vera Bekteshi

Ditët e fundit, u mbajt në Beograd takimi “Ditët e lumenjve ballkanikë. Ky qe takimi i parë i madh i iniciativës mbi lumenjtë e Evropës që mblodhi së bashku përfaqësues të OJF-ve, iniciativave qytetare, peshkatarë, kajakistë, shkencëtarë, gazetarë dhe shumë dashamirës të lumenjve, për të diskutuar si të mbrojmë lumenjtë e gadishullit të Ballkanit nga çmenduria e pakontrolluar e ndërtimit të digave.

Nuk pati konferencë për shtyp, por takimi siguroi një mundësi të madhe për të komunikuar me përfaqësuesit e lumenjve të shumë vendeve evropiane dhe të Sh.B.A-ve duke fituar informacionin më të fundit si dhe të dhëna lidhur me lumenjtë e Ballkanit dhe kërcënimeve që po u kanosen.

Për këtë qëllim në qendrën kulturore GRAD, buzë lumit Sava u mblodhën 120 pjesëmarrës nga 18 vende të botës. Ishte një grupim i larmishëm nga çdo pikëpamje, por me një gjë të përbashkët, dashurinë për natyrën dhe veçanërisht për lumenjtë. Aty endej në karrocë Luisa dy vjeçare që prindërit e saj gjermano-francezë e rrisnin në mënyrë spartane pa i kursyer asnjë seancë. Megjithëse jo e re, Paola, italiania me banim dhe punë në Sarajevë, endej duke folur dhe lëvizur me energji të pashtershme, po ashtu i kudondodhuri Uli, gjermani nga Viena, Zoe, serbia nga Londra, Rok shpatullgjeri nga Sllovenia, autori kryesor i filmit të Vjosës, Linda nga Tunizia, studente në Francë, Theresa dhe Cony, koleget e Ulit dhe Gabrielit, dy organizatorëve kryesorë të takimit dhe më i vjetri në moshë, Roberto Apple, protagonisti i shpëtimin të lumit Loire në Francë.

Ju siguroj se mësuam shumë edhe pse u lodhëm po aq.

Lumenjtë e Ballkanit përbëjnë një thesar natyror evropian që është për fat të keq ende pak i njohur. Asnjë rajon tjetër i Evropës nuk ka një numër kaq të madh lumenjsh të tillë “të gjallë”. Megjithatë, mbi 2700 HEC-e janë projektuar ngas Sllovenia në Shqipëri. Për të shpëtuar këtë trashëgimi natyrore prej shkatërrimit nga çmenduria e pakontrolluar e ndërtimit të digave, Riverwatch dhe EuroNatur, organizatorë të këtij aktiviteti, kanë filluar që nga viti 2010 fushatën “Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”.

Sa për dije: Në lumenjtë e Ballkanit ka 668 diga të ndërtuara, 2706 të planifikuara, 66 në ndërtim. Në hartën e botës janë të identifikuara dy “hot spote” gjigande digash ekzistuese, në lumenjtë e Amerikës Latine, kryesisht në Amazonë dhe në lumenjtë e vargmalit të Himalajës, por aktualisht gadishulli ballkanik po konkurron për nga dendësia me shifrat e më sipërme duke ndërtuar “për qejf” edhe hidrocentrale me fuqi më të vogël se 10 MW. Kujt i duhen këta hidrocentrale të pafuqishëm përveçse pronarëve që i kanë marrë këto koncesione “dhuratë” prej qeverive bujare ballkanike? Kujt ju duhen këta hidrocentrale xhuxhë që po ndërtohen veçse në të keqe të banorëve vendas dhe të gjithë banorëve në tërësi?

Po kufizohemi me vendin tonë duke e shtruar pyetjen direkt:

A janë të ndërgjegjshëm pushtetarët tanë se pasuria natyrore kombëtare është jo vetëm pronë e shqiptarëve por edhe e evropianëve dhe më gjerë? A po aspirojmë të bëhemi pjesë e kontinentit të vjetër? Çfarë do t’i ofrojmë Evropës përveçse pasurive tona natyrore?

Për fat të keq në këtë garë shkatërrimi po marrin pjesë edhe investitorët më të mëdhenj të botës si BERZH, BEI, BB, IFC, Kfw, ndërkohë që ata duhet të japin modele zhvillimi të qëndrueshëm. Meqenëse  “s’ju lejohet” më të investojnë në shkatërrimin e vendeve të tyre, këto banka po përpiqen të gjejnë shtigje për të ndërtuar tek ne. A e dini se kompania që po përfundon hidrocentralin e Lengaricës është austriake, ndërkohë që organizatat kryesore që e luftojnë këtë ndërtim janë organizatorët e takimit, pra nga dy vendet gjerman folëse? Me sa duket kjo nuk është betejë vetëm e jona, por një betejë globale, dhe aq më mirë për ne!

Një gjë është pak a shumë e qartë:

Ambjentalistët përgjithësisht janë në opozitë të përhershme me të gjitha pushtetet që me mënyra të ndryshme aspirojnë dhe veprojnë kah pasurimi, qoftë ky i ligjshëm apo jo. Ambjentalistët nuk kërkojnë pushtet dhe nuk miklohen prej tij, dhe kjo përbën një prej armëve të forta që nëse bashkohet edhe me pasionin për mbrojtjen e natyrës, i bën zor të thyeshëm. Këtë e treguan shembujt e fushatave të suksesshme në Ballkan për lumenjtë Tara, Lim, dhe Sutjeska, por sidomos fushatat dhjetë vjeçare për zonën e Hainburgut në Danub afër Vjenës dhe mbi të gjitha ajo për lumin Loire në Francë që ishte ndoshta më e suksesshmja dhe më mbresëlënësja.

Referuesit treguan shkurt dhe qartë sesi u realizuan këto fushata, me çfarë “armësh” u fituan betejat. Po rreshtojmë disa prej tyre:

  • Të kryesh aktivitete me frekuencë të lartë;
  • Të mendosh të pa mendueshmen;
  • Të vësh në punë humorin dhe fantazinë;
  • Mbi të gjitha këto fushata të përmbajë brenda emocionin;
  • Të tërheqësh vëmendjen me forma të ndryshme;
  • Të krijosh rrjete kombëtare, rajonale e më tej;
  • Të kryhen takime me bazë dy vjeçare;
  • Të identifikosh shënjestrat;
  • Të përfshish njerëzit e shquar;
  • Të ketë përqasje shkencore;
  • Të ndërtosh strategji të ndërthurura;
  • T’u kërkohet transparencë vendimmarrësve;
  • Të reklamohen vlerat e zonës;
  • Të trokitet në të gjitha nivelet e vendimmarrjes;
  • Të kihet parasysh ligji mjedisor mbi VNM-të dhe konsultimet me publikun;
  • Të kihen parasysh konventat ndërkombëtare;
  • Të krijohet një rrjet i fortë, një front i madh për të fituar betejën për lumenjtë, zemrën blu të Evropës
  • Të mos dekurajohesh;
  • Të mos dorëzohesh.

Të 120 pjesëmarrësit, përfshirë ne nga Shqipëria me EcoAlbania dhe INCA, duartrokitëm fort prezantimin tekniko shkencor, por edhe historiko kulturor të John Zablocki, Roberto Apple, Ulrich Eichelmann etj.

John Zablocki në prezantimin e tij duke theksuar bindjen se nëse nuk e mbrojmë natyrën, ajo nuk vonon të na ndëshkojë, parashtroi punën e madhe të organizatës amerikane “The Nature Conservancy” në mbrojtjen e lumenjve në zonën e Las Vegasit nga shkatërrimi prej digave të ndërtuara pa kriter. Nga viti 1951, janë mbrojtur  50 milion ha tokë në një gjatësi prej 8000 km lumenj, duke shpëtuar kështu troftën e famshme të zonës (deri 1 m të gjatë), që u zhduk krejtësisht prej digave dhe që tani pas shembjes së tyre jeton në gjendje natyrale.

Historia e fitores për mbrojtjen e Loires së egër qe po aq e vështirë dhe e suksesshme, një betejë që filloi nga 1989 në 1999, ndërkohë që Loire është lumi me pellgun më të madh ujëmbledhës të Evropës. 240 Organizata mjedisore të këtij baseni u bashkuan për mbrojtjen e tij në një kohë që nuk kishte as internet, as celular, por vetëm aparat faksi. Në 1994 Presidenti i Francës së asaj kohe Mitterrand, vendosi të anulojë të gjitha digat në ndërtim duke përfshirë këtu edhe ato thuajse të përfunduara.   

Lumenjtë janë të përjetshëm, Digat jo!

Po aq i duartrokitur rezultoi diskutimi i Markos nga Serbia, drejtuesit të lëvizjes qytetare “Ne davimo Beograd”[1]. Në mbyllje të fjalës së tij ai apeloi për mbështetje:

-Ju paralajmërojmë se të dielën datë 27 shtator ora 1300, do të ketë kaos të vërtetë nga ndërhyrja e policisë, por megjithatë ne ju ftojmë ta mbështesni kauzën tonë në mbrojtje të brigjeve të Savës nga urbanizimi gjigand i investimit të nënshkruar këtë vit nga Kryeministri serb.

Në fund të takimit u krye një udhëtim me anije në ujërat e Savës dhe Danubit dhe para përfundimit u transmetua filmi dokumentar-artistik 45 minutësh i realizuar nga Leeway Collective “One for the River: The Vjosa Story”[2]

Vjosa jonë u bë qendra e vëmendjes së këtij takimi ndërkombëtar. Përse mos ta bëjmë edhe ne në vendin tonë?

Ta fillojmë me ndjekjen e këtij filmi së shpejti në kinematë tona dhe po qe e mundur edhe në ekranin e vogël, dhe ta vazhdojmë me hapa të mëtejshëm për të finalizuar në shpalljen e Vjosës Park Kombëtar nga burimi në grykë derdhje.

Lajmi i ditëve të fundit lidhur me ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në  lumin Radika, brenda Parkut Kombëtar të Mavrovës është një shenjë e mirë se përpjekjet e ambjentalistëve për mbrojtjen e lumenjve nga digat po mbështetet nga Institucionet më të rëndësishme evropiane.

Më konkretisht: në datë 1.11.2015 është publikuar lajmi që pas rekomandimit të Këshillit Evropës, mbështetur  paraprakisht në studimin e grupit të ekspertëve të Konventës së Bernës për ndalimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Mavrovës, Banka Botërore dhe Berzh tërhiqen nga financimi i HEC-it në Boshkovo Most dhe Lukovo Polje në lumin Radika në Maqedoni.

 Ky lajm na bën të shpresojmë se këto institucione  nuk do të mbeten indiferentë edhe për rastin e lumit Vjosa në Shqipëri.

[1] “Nuk e japim Beogradin”

[2] “Si një trup i vetëm për Lumin: Historia e Vjosës”

radika

Next Post

Si regon vagina kur një femër nis dhe mendon për seksin?

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Erika Kirk mbështet JD Vance për president, tensione dhe përçarje në kampin konservator

Erika Kirk mbështet JD Vance për president, tensione dhe përçarje në kampin konservator

December 19, 2025
Operacion antidrogë në Stamboll, mes 7 të ndaluarve edhe aktorja e njohur

Operacion antidrogë në Stamboll, mes 7 të ndaluarve edhe aktorja e njohur

December 19, 2025
Begaj mbledh gazetarët për festat e fundvitit: Keni profesion më të vështirë se mjekët!

Begaj mbledh gazetarët për festat e fundvitit: Keni profesion më të vështirë se mjekët!

December 19, 2025
Rubio: SHBA kanë investuar shumë kohë për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë

Rubio: SHBA kanë investuar shumë kohë për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë

December 19, 2025
Humbi nënën, Pirro Çako s’përmban emocionet: Kalova një periudhë të vështirë…

Humbi nënën, Pirro Çako s’përmban emocionet: Kalova një periudhë të vështirë…

December 19, 2025
“Operacion special i paprecedentë”, Ukraina sulmon “flotën hije” ruse në Mesdhe

“Operacion special i paprecedentë”, Ukraina sulmon “flotën hije” ruse në Mesdhe

December 19, 2025
Shqiptarët me sytë nga kriptomonedhat, 126 mijë përdorues në platforma

Zbardhet ligji i ri: Sekuestrimi i monedhave virtuale dhe konfiskimi i ndërtimeve pa leje…

December 19, 2025
Tifozët futen në fushë në fushë në ndeshjen Flamurtari-Teuta, përplasen ne futbollistët

Tifozët futen në fushë në fushë në ndeshjen Flamurtari-Teuta, përplasen ne futbollistët

December 19, 2025
Mbledhja e kredive të këqija, BSH merr masa drastike, pezullon aktivitetin e dy kompanive

“Kredia në lekë dominon tregun”, zyrtari i BSH: Forcimi i monedhës vendase vijoi edhe në 2025

December 19, 2025
Koha e duhur për municione? Kosova futet në lojë…

“Vetëvendosja do pësojë rënie të votave, qeveria do formohet me koalicion”

December 19, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In