Kualifikimi i mësuesve, ja çfarë përmban teza e provimit

Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit në 15 prill .

Rezultatet pozitive të këtij provimi kushtëzojnë rritjen e pagës sipas vjetërsisë së punës nga 5 në 10 dhe 20 për qind për të gjithë arsimtarët që marrin pjesë në këtë testim. Shtesa e pagës që do përfitojnë mësuesit është mbi pagën bazë dhe jo mbi pagën bruto, pra varion nga rreth 700 në 2.800 lekë shtesë në bazë të kategorisë. Ndërsa, ata mësues që futen në këtë garë dhe dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës, por vetëm nuk përfitojnë rritjen e pagës. Të drejtën për të hyrë në provimin e kualifikimit e kanë ata arsimtarë, të cilët deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës plotësojnë kushtin e vjetërisë në punë, përkatësisht: 5 vite punë për “mësues i kualifikuar”, 10 vjet për “mësues specialist”, 20 vite punë për “mësues mjeshtër”.

Programet

Programet e kualifikimit të mësuesve janë hartuar tashmë nga ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), të cilat gjenden të detajuara në faqen zyrtare të saj www.izha.edu.al. Në total janë 21 programe kualifikimi, kjo në bazë të profileve që kanë arsimtarët, po ashtu janë edhe 14 dokumente të tjera që mësuesit duhet të kenë njohuri, pasi do jenë pjesë testimit, ku përfshihet ligji i arsimit parauniversitar, udhëzimet e ndryshme për normën e punës dhe numrin e nxënësve, standardet e mësuesit si dhe Kodin e Etikës. Në udhëzimin datë 12.02.2015 përcaktohet se kusht për të hyrë në kualifikim është se çdo mësues duhet të ketë 3 ditë trajnimi në vit, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi, të pasqyruara me 6 kredite. Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor, ndërsa programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore që mësuesi jep në arsimin fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm të ulët, gjimnaz, në shkollat e specializuara, si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional e arsimin e orientuar bazohen në të gjitha programet e lëndëve dhe temat që mësuesit japin në këto shkolla. Ndërsa, për shkollat artistike, programet e kualifikimit bazohen në lëndët programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit. Programet e kualifikimit të mësuesve të arsimit profesional dhe të shkollave të specializuara, që japin lëndët e kulturës profesionale, përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitur nga IZHA. Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë, që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit.

Vlerësimi

Testi i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet mbi dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe të tjera, që përcaktohen në udhëzimin vjetor përkatës. Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës. Provimi i kualifikimit të mësuesve për vitin 2017 do të zhvillohet me shkrim, në një ditë për të gjithë mësuesit, në Tiranë, përkatësisht në datën 15.04.2017, ora 10:00-12:30. Brenda muajit shkurt, por ende nuk ka afate zyrtare nga DAR/ZA-të, kandidatët duhet të dorëzojnë në Drejtoritë Arsimore përkatëse portofolin profesional, përmbajtjen e portofolit e keni në tabelën bashkëngjitur. Vlerësimi i tyre nis që nga portofoli profesional, ku arsimtarët që nuk do të marrin pikët minimale (5 pikë) në këtë fazë nuk do të futen në testim. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondon përkatësisht vlerësimit me fjalët “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm” dhe “dobët”. Kush vlerësohet me “E” nuk fiton kualifikimin. /GSH/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU