Ku kanë shkuar 1.2 miliardë eurot që ka marrë borxh qeveria Rama?

Pyetja se ku i ka çuar qeveria Rama 1.2 milirdë eurot që ka marrë borxh është bërë shpesh në media kohët e fundit, dhe ajo ka gjetur jehonë edhe në kafenetë shqiptare. Që t’i jepet një përgjigje rigoroze kësaj pyetje, duhen konsultuar të dhënat zyrtare të borxhit dhe buletinet fiskale të Ministrisë së Financave, të cilat janë monitoruar në mënyrë strikte nga FMN-ja — qysh kur kjo e fundit u kthye me kredi në Shqipëri, pas largimit të qeverisë Berisha.

Stoku i borxhit publik në shtator 2013, kur u largua qeveria Berisha, ishte 872 miliard lekë të reja. Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit publik arriti vlerën 1043 miliardë lekë të reja. Pra, i konvertuar në euro, stoku i borxhit u rrit në 2 vjet e nje çerek me 1.2 miliardë euro.

Dhe për çfarë i ka shpenzuar qeveria Rama këto 1.2 miliardë euro borxh te ri?

Së pari, 560 miliardë lekë (400 milionë euro) janë shpenzuar për investime të paracaktuara publike me financim të butë ndërkombëtar (kredi të Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve, Bankës Arabe të Investimeve etj.)

Pjesa e mbetur ka shkuar për të shlyer detyrime shtetërore të pashmangshme si:

1-Pagesa e detyrimet e prapambetura që kishte qeveria Berisha ndaj bizneseve që kishin kryer punime infrastrukturore apo furnizime, etj., dhe që nuk i kishin marrë ende paratë (këto detyrime nuk figuronin si borxh në defterët e shtetit). Shlyerja e atyre detyrimeve (515 miliardë lekë) ishte kusht i panegociueshm për kredinë e butë që i akordoi FMN-ja qeverisë Rama.

2-Pagesa e interesave të borxhit të vjetër, të akumuluar ndër vite (915 miliardë lekë të reja). Edhe ky është një detyrim që asnjë qeveri nuk e shmang dot.

Të dy këta zëra bëjnë rreth 1 miliardë euro. Po të shtojmë edhe  investimet me financim të huaj që përmendëm më sipër (400 milion euro), rezulton se, nga 1 tetori 2013 deri në fund të 2015-ës, qeveria ka bërë 1.4 miliardë shpenzime të paracaktuara nga kreditorët e shtetit shqiptar, ndërkohë që ka marrë borxh të ri vetëm 1.2 miliardë dollarë.

Sidoqoftë, është legjitime pyetja sesi janë shpenzuar nga qeveria Rama paratë që nuk janë marrë borxh nga ajo – pra, paratë që ka mbledhur nga taksat tona. Por për t’i dhënë një përgjigje rigoroze kësaj pyetje, duhen bërë analiza zë për zë, e jo demagogji – si nga njëra, edhe nga tjetra palë politike…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU