Kthimi i ligjit për RTSH, PD përshëndet aktin e Nishanit

Partia Demokratike ka përshëndetur vendimin e presidentit Bujar Nishani për të kthyer në Kuvend për rishqyrtim amendimin e ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar.

Në një deklaratë për mediat, Genc Pollo deklaroi se “Do do doja të falenderoja Presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar zërin e opinionit publik, zërin e Unionit të Gazetarëve, zërin e 156 firmëtarëve të peticionit, zërin e Opozitës, si dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, zërin e Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim amendimin e njeanshëm të ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar.

Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan e nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.”.

Sipas Pollos, kthimi i ligjit për RTSH-në është një thirrje për konsensus‏.

“Do të falenderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i cili të martën e javës së shkuar në rezolutën që miratoi për Shqipërinë shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm e apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH. Të mos harrojmë se ishte PS e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshill Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin. Sot mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem, ishte veprim shumë i gabuar i mazhorancës PS-LSI. Uroj që mazhoranca të reflektojë e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH.”, përfundon reagimi i PD-së.

BW

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU