Kryetari i Bujanocit: Nuk i lëshojmë trojet, do luftojmë me të gjitha mënyrat

”Gjithmonë që e kemi biseduar me ndërkombëtarët dhe me përfaqësuesit e Kosovës bashkimin, përgjigja ishte se nuk ka ndryshim të kufijve dhe se duhet të integrohemi në Serbi”. Kështu shprehet kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në intervistën për ”gazetën Lajm”, duke folur për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Më tej ai thotë se janë në vatrat e stërgjyshërve dhe se do të luftojmë me të gjitha metodat, që të mbetet si zot shtëpie. ”Ne nuk kemi në plan t’i lëshojmë shtëpitë tona, në asnjë variant nuk përkrahim ndonjë ide të shkëmbimit të popullsisë, siç dalin tani iniciativat e reja nga Beogradi, ne jemi në vatrat tona stërgjyshore dhe do të angazhohemi, do të luftojmë me të gjitha metodat, që të mbetemi si zot të shtëpisë”.

Pjesë nga deklarata

Ne e kemi pranuar si ide. Është ambicie e kamotshme e shqiptarëve të Luginë së Preshevës që të jenë pjesë e Kosovës, mirëpo prej tyre kemi kërkuar që Lugina e Preshevës të trajtohet si tërësi. Në të kundërtën mund të kemi katastrofë humanitare, sepse popullata shqiptare e fshatrave që do të mbeteshin nën Serbi do të zhvendosej prej vatrave të tyre.

Që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së në vitin 2001 ne jemi futur në një proces politik me Serbinë, përmes të cilit ne tentojmë t’i forcojmë dhe avancojmë të drejtat tona. Ky proces ka dhënë rezultate shumë modeste. Ka disa rezultate, duhet të jemi korrekt, por janë shumë modeste në krahasim me premtimet dhe obligimet që ka marrë Serbia karshi shqiptarëve të Luginës.

Nëse këta nuk kanë treguar një vullnet politik për 17 vite me radhë për t’i përmbushur obligimet, kjo tregon qartë se shqiptarët e Luginës i trajtojnë si element të padëshirueshëm në këtë shtet. Dhe nëse na trajtojnë si element të padëshirueshëm, atëherë duhet të ketë një zgjidhje. Ne nuk kemi në plan t’i lëshojmë shtëpitë tona, në asnjë variant nuk përkrahim ndonjë ide të shkëmbimit të popullsisë, siç dalin tani iniciativat e reja nga Beogradi, ne jemi në vatrat tona stërgjyshore dhe do të angazhohemi, do të luftojmë me të gjitha metodat, që të mbetemi si zot të shtëpisë.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU