Kryeprokurori i shtetit, Akeksandër Lumezi ka bërë të ditur se janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin përfitime nga shteti.
Lumezi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se prokurori që ka dhënë dorëheqje Elez Blakaj, ka bërë një “draft-akuzë” ndaj disa personave për këtë rast dhe që i është dorëzuar prokurorit të Prokurorisë Speciale për sugjerime të tjera.
“Është bërë bujë e madhe rreth dorëheqjes së prokurorit (Elez) Blakaj, mirëpo ende në mjetet e informimit nuk është treguar arsyeja kryesore se pse ky prokuror ka dhënë dorëheqje nga Prokuroria Speciale. Ndërkohë, ne kemi marrë një shkresë nga prokurori Blakaj. Faktikisht, ajo shkresë konsiderohet si akt-dorëheqje nga prokurori Blakaj, ku ai thekson se është i nderuar që ka punuar brenda sistemit prokurorial të Kosovës dhe në veçanti në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila është njëra ndër Prokuroritë më kryesore në Republikën e Kosovës.
Ai i ka falënderuar të gjithë kolegët me të cilët ka punuar aty dhe ka bashkëpunuar dhe ka thënë se ai do të vazhdojë karrierën e vetë dhe profesionin e tij si jurist në një organizatë jashtë vendit, apo brenda vendit.
Do të thotë, në bazë të kësaj shkrese që unë e kam këtu, decidivisht shkruan se prokurori Blakaj do ta vazhdojë aktivitetin e tij profesional jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është arsyeja që ai ka dhënë në akt-dorëheqjen apo në shkresën të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës”, tha Lumezi.
Ai tha se në Prokurorinë e Shtetit ende nuk kanë asnjë informacion zyrtar se prokurori Blakaj ka pasur kërcënime nga politika, përgatiti Telegrafi. (b.an)