Kryeministri Rama post “Çadra”?!

Nga Ben Andoni

Askush nuk mund të parashikoj në këto orë të mes-prillit sesi do jetë zgjidhja e krizës politike shqiptare. Arsyeja është e thjeshtë: vetë politikanët shqiptarë e kanë të pamundur t’i japin zgjidhje katrahurës që kanë bërë. Gjithsesi, këtë javë ato marrin udhë, falë dhe investimit ndërkombëtar. Znj. Kryemadh, numri 2 de facto i LSI-së, e konvertonte një segment kohor me një aksh minus vendesh pune. Në fakt, argumenti i fundit ka qenë i dyshimtë gjatë këtij mandati sa i përket statistikave, paçka se Shqipëria për hir të së vërtetës ka përmirësime në disa lëmë, që nuk mund të mos vihen në dukje.

Gjithsesi, ato janë tejet larg propagandës së madhe që bëhet dhe varfërisë që ka rënë mbi njerëzit e thjeshtë, sa i përket përballjes me jetën e përditshme, mungesës së investimeve të huaja, mos hapjes së vendeve të punës, pensioneve etj. Në të gjithë këtë hulli, Edi Rama mbart peshën e reformave si kosto të mandatit të tij, por edhe si pasqyrim të punës së vet, që e ka personalizuar, falë dhe kultit që po i ngrihet pareshtur nga formacioni i tij.

Ligjërimi i tij, mbushur me retorikë, stigmë dhe jo pak herë fyerje, më shpesh i ka bërë dëm dhe atyre gjërave pozitive që janë dashur të nënvizohen.

Kjo mbase është arsyeja pse thirrjet e tij për dialog me opozitën shikohen ende me dyshim nga e ashtuquajtura “Çadra” (Vend-mbledhja e Opozitës), mbetur në një udhë pa krye prej drejtimit kuturu të Lulëzim Bashës. Vetëm se “Çadra” i ka dhënë argumente shtesë figurës së Ramës për të shpalosur idenë se ai është njeriu i mirë i dialogut, kurse të tjerët janë thjesht njerëz që nuk e kërkojnë atë, por duan pushtet të pamerituar. Meta ia ka dhënë më së shumti argumentet me luftën ambigue, ku ai artikulon në formë të përgjithshme parimet, kurse njerëzit e tij lëshojnë bomba tymëse, sikur të mos jenë pjesë e kësaj qeverie. Sa për Lulëzim Bashën është e vështirë t’i thuash në këto momente se kriza që krijoi duke e faktorizuar disi e ka zhvleftësuar, në vend që ta ngrejë.

Në të gjithë këtë katrahurë, po e pëson populli, për të cilin kujtohen në ditët e mitingut të radhës elektoral, në ditët e votimit dhe pastaj kaq. Aq i pavlerë është populli saqë ai është i privuar jo thjesht ligjërisht prej zgjedhjes së presidentit, deputetëve, por edhe nga pronat shtetërore dhe publike që shndërrohen sërish nga pushtetarët e sotëm (njësoj të djeshmit) për interesa mirëfilli, kurse pronat sot e kësaj dite për një pjesë jo të vogël të shqiptarëve mbetën pa përgjigje, ashtu si koncesionet e shumta që rëndojnë mbi fatet e vendit.

Një lëmsh i pazgjidhshëm, që ky mandat, jo vetëm nuk e zgjidhi, por që e teproi. Dhe, ajo pyetje që mbetet për ditët që po vinë dhe ku kriza po i afrohet fundit, është e thjeshtë: Po Rama çfarë do të bëj më pas? Kuptohet se do të përpiqet të marrë dhe një mandat dhe gjasat janë të tilla. Por, realisht çfarë do gjejë t’u thotë njerëzve pas “Çadrës”, simbolikë me të cilën njerëzit sot identifikojnë fundin kohor të mandatit të tij?! Këtë rrezik as vetë Rama nuk di ta thotë, sepse më së pari i duhet të ndryshojë sintaksën përballë atyre që ka përballë dhe që rëndom i damkos, kurse e dyta të ndryshojë modelin sesi po qeveris. Por për këtë s’ka nevojë për retorikë, por për fjalë specialistësh, që tashmë rrinë të strukur. Fillimisht nga frika se i fton Basha në përçartjet e tij në “Çadër” dhe së dyti se i përqesh Rama, jashtë saj. (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU