“Kryeministri malazez Djukanovic, shpallet krimineli i vitit”

Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) – një rrjet i qendrave investigative, mediave dhe gazetarëve, i ka ndarë kryeministrit malazez, Milo Djukanovic, një çmim jo shumë të dëshirueshëm për Vitin e Ri.

Sondazhi i tyre vjetor ka nxjerrë fitues kryeministrin jetëgjatë malazez me pak vota më shumë se bashkëshortja dhe fëmijët e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për “shpërblimin” e “Personit të Vitit në Krim të Organizuar”.

Një lider tjetër ballkanik, kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, doli i treti. “Këtë e shohim si shpërblim për arritje jetësore”, ka thënë redaktori dhe bashkëthemeluesi i OCCRP-së, Drew Sullivan, raporton “EurasiaReview”.

“Askush, përjashtuar presidentin rus, Vladimir Putin, s’e ka drejtuar një shtet të varur kaq shumë në korrupsion, krim të organizuar dhe politika të fëlliqura. Është vërtetë dhe thellësisht i kalbur deri në palcë”, ka thënë Sullivan për regjimin e Djukanovicit.

Përgjatë një karriere politike që ka zgjatur pothuajse tre dekada, Djukanovic ose ka qenë kryeministër ose president i shtetit.

“Ndonëse ai veten e cilëson si lider progresist e pro-perëndimor, i cili kohën e fundit ndihmoi vendin e tij të anëtarësohet në NATO dhe është në rrugë drejtë anëtarësimit në BE, ai ka ndërtuar një prej kleptokracive më të përkushtuara dhe strehën më të mirë të krimit të organizuar në botë”, vlerëson OCCRP, transmeton koha.net.

Personi që nominoi Djukanovicin këtë vit për këtë shpërblim ka qenë Vanja Çaloviq, drejtore e Rrjetit për Afirmimin e Sektorit të OJQ-ve, MANS, një organizatë e shoqërisë civile.

Në vendin e dytë të këtij sondazhi janë ranguar bashkëshortja dhe fëmijët e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev kurse në të tretin kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski.

Për sa i përket kryeministrit Gruevski i cili e ka drejtuar Maqedoninë për nëntë vjet dhe akuzohet për mori aferash korruptive, OCCRP përmend vetëm disa prej tyre.

Fitues në të kaluarën të këtij sondazhi të OCCRP-së janë presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Parlamenti i Rumanisë.

OCCRP, e themeluar nga Drew Sullivan dhe Paul Radu më 2006, është një rrjet i përbërë nga 22 organizata për raportime investigative e mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (OSF), Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Qeveria zvicerane, Shoqata Kombëtare për Demokraci (NED) dhe donatorë tjerë./gazetablic/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU