KROACI/ ‘Ballist’ Morina apelon vendimin, vëllai: Besojmë se nuk do ekstradohet!

Ismail Morina ka dorëzuar sërish në Gjykatën e Lartë dosjen për apelimin e vendimit të Gjykatës së Dubrovnikut, e cila i hapi dritën jeshile ekstradimit të tij në Serbi për t’u gjykuar për ngritjen e dronit në ndeshjen e para tre viteve në Beograd.

Lajmi konfirmohet për Shqiptarja.com nga vëllai i Ismail Morinës. Xhevahir Morina një lidhje telefonike sqaroi se para pak ditësh dosja është dorëzuar për herë të dytë nga avokati në Gjykatën e Lartë.

“Kemi besim, Gjykata e Lartë do bllokojë ekstradimin”
Familja Morina beson se Gjykata e Lartë do të marrë një vendim në favor të Ismailit, referuar vendimit të parë që e rrëzoi Gjykatën e Dubrovnikut duke e rikthyer dosjen për rishqyrtim.

Kemi besim se Gjykata e Lartë do të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë të Dubrovnikut. Ismaili nuk duhet që të ekstradohet në Serbi” shprehet vëllai i tij.

Xhevahir Morina thotë se qeveria shqiptare vazhdon lëvizjet për të mos lejuar ekstradimin, ndërsa në këto muaj ankthi ka shkëmbyer disa herë mesazhe me Presidentin e FSHF, Duka, i cili e ka mbështetur.

Ismail Morina qëndron në burg në Kroaci prej fundit të muajit Qershor, por vëllai i tij thekson se është lodhur nga pritja, por është i fortë dhe beson se do të lirohet.

Xhevahiri gjatë bisedës kishte një mesazh për tifozët e Kukësit, të cilët sipas tij e kanë braktisur ‘Ballistin’ që tashmë është edhe një hero kombëtar.

Mesazhi për ndeshjen e Skënderbeut në Beograd 
Në fund të bisedës nuk kishte si të mungonte edhe një koment për ndeshjen që Skënderbeu do të zhvillojë pas rreth një muaji në Serbi.

Nëse ata do të veprojnë njëlloj si me kombëtaren do të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë” përfundoi ai.

Azili dhe shpresa e fundit për bllokimin e ekstradimit
E ndërsa vijojnë procedurat gjyqësore, Ismail Morina ka kërkuar azil në Kroaci për të bllokuar ekstradimin në Serbi.

Por edhe nëse Gjykata e Lartë vendos pro ekstradimit, atëherë fjalën e fundit do ta thotë ministri i Drejtësisë kroate.

Serbia e akuzon për nxitje të urrejtjes mes dy vendeve pas ngritjes së dronit duke lëshuar fletë-arresti me qëllim ekstradimin e tij për ta gjykuar në Beograd.

Qeveria shqiptare ka lobuar fuqishëm që Ismail Morina të mos ekstradohet në Serbi, pasi i rrezikohet jetë.

Pak javë më parë ministria shqiptare e Drejtësisë i dërgoi homologes së saj në Zagreb një raport me fakte dhe argumente se përse nuk duhet të ekstradohet Morina në Serbi.

Në raport argumentohet se kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Morinës është një kërkesë politike, ndërsa Ballistit i rrezikohet jetë nëse ekstradohet.

Ndërsa FSHF deklaroi se për cështjen që akuzohet Ballisti, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka marrë një vendim duke gjobitur Shqipërinë me 100 mijë Euro, duke e cilësuar të mbyllur.

Ismail Morina u ndalua para rreth dy muajsh në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, teksa po tentonte që të kalonte për në Itali.

Pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim nga Serbia duke sjellë edhe arrestimin e tij dhe nisjen e proceseve gjyqësore.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU