Krijohet Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri vendosi krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM).

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, AKUM-i është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për infrastrukturën. Ai është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe mbetjeve.

Në vendim percaktohet se AKUM, ka si mision zbatimin e politikës specifike shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, trajtimin e ujërave të ndotura dhe planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, derisa ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ndërmarrjet e menaxhimit të infrastrukturës së mbetjeve të jenë të afta për të kryer këto funksione.

Veprimtarinë e vet AKUM-i e ushtron në shërbimin e furnizimit me ujë dhe ujësjellës kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane; ne fushën e mbetjeve urbane, në lidhje me planifikimin territorial, infrastrukturën e mbetjeve dhe implementimin e tyre.

Kjo Agjenci kombëtare koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror e vendor.

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton se AKUM menaxhon dhe monitoron zbatimin e masterplanit kombëtar të ujësjellës-kanalizimeve dhe krijon e menaxhon platformën kombëtare të aseteve të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në sistemin GIS (Geographical Information System).

Ai është institucioni përgjegjës për zbatimin e masterplanit kombëtar të mbetjeve për sa i përket planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve urbane.

AKUM shërben si koordinues dhe asistues i qeverisë, kur kërkohet, dhe i njësive të qeverisjes vendore për nismat për investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe në planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, si dhe ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në këto fusha.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

ma.me

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU