Kreu i Shoqatës së Prokurorëve: FSHF nuk po bashkëpunon, edhe arbitrat pjesë e sitemit të trukimeve

Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, i ftuar dje në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, ka komentuar dënimin e klubit të Skënderbeut, si dhe ka folur në tërësi për skandalin e trukimeve në futbollin shqiptar. Sipas tij, Prokuroria duhet të hetojë Skënderbeun pas raportit të UEFA-s.

“Nuk e di të jetë hapur ndonjë hetim deri më tani, por jemi përpara një denoncimi dhe raporti publik nga UEFA, që është organizmi më i lartë i futbollit. Prokuroria nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë çështje, por FSHF duhet të jetë më bashkëpunuese. Ajo duhet të marrë përsipër se çfarë duhet të bëjë. Nuk është thjesht se Skënderbeu u dënua nga UEFA, por fenomeni është i përhapur.

Më bën përshtypje, sepse në këtë aktivitet 6-vjeçar janë të përfshirë edhe ekipe të tjera. Kampionati shqiptar është në një masë të madhe i trukuar. Ky sistem duhet shembur, e kam fjalën për mënyrën e organizimit të futbollit. Klubet tona drejtohen nga njerëz që nuk kanë bërë publike të ardhurat e tyre, pagesat për lojtarët, trajnerët etj. Mendoj se jemi përpara një alarmi dhe duhet një reformë e madhe.

Rasti i Skënderbeut është shumë i rëndë. Kjo çështje nuk është mbyllur, sepse ka ekipe që me të drejtë duan trofetë. Opinioni duhet të dijë të vërtetën, sepse klubet që kanë investuar kërkojnë transparencë. Kjo histori do hetim të ndershëm penal. FSHF, jo se nuk e bën dot, por UEFA e ka marrë vendimin në aspektin sportiv. Çështja është objekt i organeve të specializuara të hetimit. Duhet shumë seriozitet dhe mbështetje. Edhe arbitrat janë pjesë e trukimeve të ndeshjeve.

Dënimet për trukime janë pjesë e kodit penal. Ligji është i zbatueshëm nëse ka bashkëpunim me Prokurorinë. Por, edhe ky institucion është në prag të reformës së madhe. Kam takuar zv.presidentin e UEFA-s dhe u krijua një klimë miqësore disa vite më parë. E pritëm me kënaqësi këtë bashkëpunim, por UEFA me sa duket nuk ka gjetur bashkëpunëtorë seriozë në Shqipëri për të ndalur këtë fenomen”, deklaroi Hajdari.

Panorama/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU