Kreu i AMA: Nga sot, 34 programe falas dhe cilësi në transmetim

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) përmes një konference për shtyp të kryetarit Gentian Sala, njoftoi sot, se më datë 10 shtator 2018, janë mbyllur transmetimet analoge audiovizive për qarqet e Tiranës dhe Durrësit.

Kreu i AMA-s, Gentian Sala, tha gjatë një konference për mediet se risia e transmetimeve digjitale do jenë programet e larmishme, cilësia në transmetim dhe 34 kanalet falas vetëm përmes një dekoderi.

“Në këtë mënyrë, nga dita e sotme dhe në vijim, në këto dy qarqe, ku banojnë rreth 1/3 e popullatës së Shqipërisë, ndjekësit e programeve televizive do t’i arrijnë ato vetëm në mënyrë digjitale. Fikja e transmetimeve analoge nga televizionet kombëtare apo ato lokale e rajonale është shoqëruar dhe me mbylljen e transmetimeve digjitale të palicencuara, si dhe është zgjidhur çështja e renditjes së kanaleve, sipas përcaktimeve ligjore që ka bërë AMA. Prej përfundimit të këtij procesi qytetarët do të ndjekin 34 kanale pa pagesë nga paketat programore publike dhe private që janë në transmetim”, – theksoi Sala.

Gjatë fjalës së tij, Sala u shpreh se për shitjen e dekoderave janë 5 subjekte të autorizuara, duke theksuar se nuk ka asnjë situatë monopol.

“Ka mbi 5 subjekte që shesin dekoderat, të cilët kanë pika të shumta. Pra nuk ka situatë monopol. Për t’u pajisur me dekoderët e rinj është dhënë ndihmë ekonomike për të paktën 88 mijë qytetarë, që janë në nevojë ose janë të pajisur me kartën e nevojës ekonomike. Procesi i digjitalizimit në Shqipëri ka kaluar mbi 20 vjet si asnjë vend tjetër europian. Tirana dhe Durrësi janë një zonë e rëndësishme ekonomike. Është zona kyç për zgjidhjen e digjitalizimit. Qytetarët kanë mbi 10 vite që janë njohur që kjo procedurë do të ndodhë”, – tha Sala, duke shtuar se Shqipëria ka numrin më të madh të kanaleve pa pagesë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU