Kosovë, urim për të teta vitet!

Nga Ben Andoni

Është normale që në një ditë të këtillë, aq domethënëse për Kosovën, sherret dhe hatër-mbetjet të ndalen dhe të bëhet një bilanc i sukseseve dhe dështimeve. Por shumë nga kosovarët e kanë harruar shpejt kalvarin që kaluan dhe përpjekjen e madhe diplomatike, që u bë nga Fuqitë e Mëdha, që ajo të ishte e pavarur. Dhe, vërtetë, më 17 Shkurt, kosovarët por edhe gjithë shqiptarët kanë se çfarë të gëzojnë, më në fund stigmën që kanë pasur ndaj padrejtësive të historisë tani duhet ta korrigjojnë me falënderimin për fatin.

Megjithatë, politika kosovare, larg këtyre nuk ka ecur në të njëjtën nivel me pritshmërinë e popullit të saj, ku konflikti politik ka arritur në përmasa të papara, saqë rrezikon staturën e shtetit, ku palët politike dhe dasitë si asnjëherë tjetër, shikohen si armiq potencialë. Nëse Opozita e ka tejkaluar demokracinë në kundërshtinë e saj duke e kthyer Kuvendin në një arenë të vërtetë lufte, duket se një faj edhe më i madh qëndron mbi Pozitën aktuale, që me akrobacitë e saj s’ka mundur të jetë transparente dhe të shpjegojë të gjitha hapat që është detyruar të bëjë. Është mjaftuar me cinizmin dhe qesëndinë, ku duket se primare mbetet mbajtja e pushtetit.

Dhe, Asosacioni dhe Demarkacioni, dy çështjet kinse thelbësore të sherrit, që së fundmi i shtohet edhe mëtimi i z.Thaçi për president, janë hallka të cilat mund të zgjidheshin lehtë dhe që koha e tregoi se e kanë zgjidhjen, veçse shkalla e konfliktit e tregon Kosovën se klasa politike është krejt e papjekur të marrë mbi supe barrën e madhe të një shteti me kaq shumë probleme. Ku zhvillimi i ulët ekonomik ka sjellë papunësi masive, korrupsion galopant, sisteme arsimore dhe shëndetësore të dobëta,  e mbi të gjitha një gjyqësor me probleme, që e ka çuar kosovarin e thjeshtë te mungesa e shpresës dhe zhvillimin e vendit në kalenda.

Duhet që të kujtojmë gjithnjë pa harruar rrugëtimin e Kosovës dhe të mos harrojmë atë përpjekje titanike: që kur më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, bëri të qartë propozimin e tij, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Dhe vërtetë Kosova ia arriti që u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 ku epilogu ishte përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012. Ato ditë të gjithë mendonin se tani vinte puna për integrimin e Kosovës dhe puna për zhvillimin. Por, nuk ndodhi kështu, sepse luftëtarët e konvertuar me pushtet dhe burokratët e politikës, humbën kohë duke u marrë me njëri-tjetrin. Kjo ka bërë që sot, ato hapat e shpresës sa i përket njohjes janë zbehur shumë dhe ato janë ndalur te numri 111, ashtu si po ndodh mungesa e liberalizimit të vizave, për të cilat Kosova, falë nivelit të korrupsionit, gjyqësorit të dobët, emigrimit në masë, do ende kohë.

Ndaj në këtë ditë të çmuar për gjithë shqiptarët, mësimi i dobësive të Kosovës është mësim kombëtar: Kosovë e Shqipëri duhet të festojnë dhe menjëherë të përveshin mëngët që të krijojnë punë dhe shpresë për njerëzit, larg retorikave politike. Në mënyrë që bilancin e vitit të ardhshëm ta kemi me më shumë suksese dhe jo me trishtimet e zakonshme të pashpresës si në Kosovën e 2016.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU