Kosova, rikthime e debutime për ndeshjet me Danimarkën e Bullgarinë

Në ndeshjet e këtij muaji, kur Kosova do të impenjohet fillimisht në një miqësore e më pas në një përballje zyrtare futbollistike, bien në sy rikthimet dhe debutimet. Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes publikoi emrat e futbollistëve që do t’i ketë në shërbim për miqësoren kundër Danimarkës, më 21 mars, si dhe për ndeshjen e parë në kuadër të kualifikueseve për “Euro 2020” kundër Bullgarisë, më 25 mars.

Për herë të parë, pjesë e përfaqësueses A të Kosovës do të jetë Florent Hasani, një lojtar që më parë ka luajtur me 21-vjeçarët dhe është pjesë e skuadrës hungareze, Diosgyori. Mesfushori sulmues nga Vushtrria po shkëlqen me ekipin hungarez, të cilit iu bashkua në një transferim falas, dhe ka shënuar 5 gola këtë sezon.

Mes emrave që kanë bindur trajnerin zviceran Challandes janë edhe Bersant Celina dhe Bernard Berisha, lojtarë të rikthyer në grumbullimin e Kosovës. I pari është bërë protagonist në ditët e fundit me një dështim epik nga pika e penalltisë, në ndeshjen që skuadra e tij Swansea zhvilloi me West Bromwich, ndërsa i dyti po shkëlqen me Akhmatin e Groznit. Jashtë listës ka mbetur Donis Avdijaj, i cili ka probleme dhe nuk po aktivizohet te skuadra e tij në Holandë.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU