Kosova, problem i kompasit apo i politikës?

Nga Ben Andoni

Gjëja më e lodhshme të dëgjojë tashmë një vëzhgues i thjeshtë për Kosovën është problemi i mbartur i Demarkacionit me Malin e Zi. Duket sikur të gjithë janë kundër të gjithëve në Kosovë. Me aq kompetencë sa flasin në komisionin e Demarkacionit disa pro një varianti, po kaq vetëm se kundër flasin disa nga anëtarët e tjerë, disa madje kanë dhënë edhe dorëheqje. Mëtohet për kërcënime. Flitet për folklorizëm dhe sharlatanizëm. Cili? Kush? Pse?

Për një gjë sinqerisht të vjen keq dhe kjo i atribuohet për shumë çështje edhe Shqipërisë, kur nuk e gjejnë gjuhën që nga politikanët, studiuesit e fushave të ndryshëm, populli i thjeshtë dhe kuptohet militantët, atëherë si do mund të përballemi me situata. Rezultati dihet.

Nëse kompasi hapet aq sa duhet dhe një studiues i  vërtetë këtë e bën cilido qoftë apo çfarëdo që përfaqëson, atëherë nuk ka pse të ketë kaq fjalosje sa në Kosovë. Problemi është a u duhet t’u besojmë studiuesve tanë? Apo doni kosovarë t’i shfrytëzoni vetëm për politikë? Apo çka vallë?

Para këtyre problematikave, vende me stade më të larta qytetërimi, e bëjnë më thjeshtë. Dhe, në rajonin tonë, Sllovenia me Kroacinë,  në një konflikt të vazhdueshëm dhe pa-princip i janë drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar, që në fillim. Kurse ne shqiptarët paçka se kemi pasur mirëkuptimin me Malin e Zi, s’e kemi gjetur kurrë me veten. A duhet t’i besohet Hivzi Islamit, drejtuesit të Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi? Apo kryetarit të komisionit të qeverisë Murat Mehës? Jo, askujt, të thonë në Kosovë. Njësoj të thonë në Shqipëri,  kur pyet historianët për çlirimin. Kur? Pse?

Deklamimi i Islamit dje parashtron dhimbje dhe mllef. “Komisioni nuk ka pas obligim te caktoj kufij të bëjë markim apo demarkim. Por vetëm brenda territorit te vet te shikoj piken kufitare. Mendoj se kemi kryer me dinjitet matjen e territorit tonë”, ka thënë Islami. E ka shtuar pastaj se: “Studentët e mi ia futën barutin Kosovës”, duke iu ka referuar profesorëve të gjeografisë që kundërshtuan publikisht këtë Demarkacion.

Por ndërkohë Kosova e ka një marrëveshje me Malin e Zi për kufirin dhe fillimisht duhet të shprehet për këtë, një akt, që duhej ta bënte me kohë, para se rruga e paqartësisë së Demarkacionit të vinte deri këtu. Fakti është se sot apo nesër kjo do të zgjidhet. Pavarësisht se mundësia që të kaloj në parlamentin kosovar këtë javë është e vogël, ajo tashmë të përball me seriozitetin e një shteti të shqiptarëve, që duhet të plotësojë obligimet në familjen e madhe evropiane, ato që rrallë i kryen si duhet.

Ndaj, do ishte më mirë, që punë të tilla pa folklorizëm dhe deklamime t’u liheshin njerëzve të kompasit që e duan vendin dhe jo politikanëve, që e kthejnë në objekt përfitimi çfarëdolloj gjëje. Anipse edhe njerëzit e kompasit nuk i shpëtojnë dot politikës…

Kufijtë e Malit të Zi dhe Kosovës janë të precizuara që nga viti 1947, kur ishin subjekte të ish-Federatës, me statuse të ndryshme. Kurse me statuset e Republikave të pavarura dhe sovrane ato kanë bërë marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit, të nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Por, ndërsa Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje nga  Kosova s’ka gjasa për shkak të kundërshtimit të opozitës dhe një pjese bukur të mirë të deputetëve të pozitës. Referuar profesor Islamit, që ka drejtuar komisionin e fundit Kosova në fillim ka pasur sipërfaqe 10.690 kilometra katror, më pas Serbia ka shtuar disa kilometra dhe janë bërë 10.887 kilometra katror dhe me matjet e fundit të vitit 1982 është precizuar në 10.908 kilometra katror. Sa e madhe është vallë Kosova? Lëreni për njerëzit e kompasit dhe jo nga politikanët… (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU