Kosova nuk i shpëton dot Gjykatës. Mbaron kështu patetizmi dhe fillojnë detyrimet. Autoritetet kosovare kanë në analizë dy opsione për ngritjen e Gjykatës Speciale. Krahas përpjekjes që këtë qëllim ta mbërrijnë duke e riproceduar në Kuvend amendamentin kushtetues, që dështoi të votohej javën e shkuar, një opsion tjetër është që Gjykata të ngrihet pa u prekur fare Kushtetuta. Koha ditore thotë se është duke u biseduar në nivel ekspertësh duke u shqyrtuar mundësia që të merret për bazë legale vetëm letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, që ka marrë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare pasi është ratifikuar në Kuvend.
“Ka mendime se kjo marrëveshje ndërkombëtare mund të merret si bazë e mjaftueshme legale. Është e njëjtë, sikurse vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese që është bërë mbi bazën e letërkëmbimit, ani se ishte në kundërshtim me procedurën që e parasheh Kushtetuta”, ka thënë ky burim. “Ky opsion është futur në lojë, edhe pse prioritet ka riprocedimi i amendamentit në Kuvend”.
Në Qeveri e kanë lënë të hapur mundësinë që të procedohet me krijimin e Speciales, edhe pa e prekur Kushtetutën. Kësisoj, themelimi nuk do të varej më nga 80 vota. Do të kërkohej vetëm mbështetja e së paku gjysmës së deputetëve, për ta kaluar ligjin.