Kosova, një bebe që të gjithë duan ta mbysin

Nga Ben Andoni

Një lajm i orëve të fundit pothuaj s’pati ndonjë qasje të madhe në Kosovë dhe të themi pothuajse fare në Shqipëri. Në takimin e 14-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë në Sarajevë, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës u ankuan për bllokadën që i ka bërë Serbia vënies në punë të linjës së interkonjeksionit mes dy vendeve. Pikërisht, pak orë, kur kryeministrat Rama dhe Vuçiç në një forum ekonomik angazhoheshin për rritje të bashkëpunimit mes vendeve dhe flisnin për Kosovën. Serbisë iu la një afat, por sërish duhet takimi tjetër që te merret një vendim ndaj saj. Çka do të thotë se me shumë gjasa Kosova do të vuajë sërish kufizimet e energjisë që përkthehet në vështirësi shtesë në ekonominë e saj të brishtë. Për ata që se kujtojnë, mu në qershor të këtij viti, Kosova dhe Shqipëria përuruan me shumë bujë linjën 400 kilovatëshe ndërmjet tyre prej 241.1 kilometrash. Autoritetet e të cilave e cilësuan si një ‘autostradë energjetike” dhe një vepër të madhe të një tregu të përbashkët të energjisë. Por, sot e kësaj dite ajo nuk funksionon ashtu si ka gjasa të mos funksionojë dhe sërish. Kjo është njëra nga problemet e shumta dhe është sot në kurriz të Kosovës. E dyta është miniera e Trepçes. Larg fjalëve patetike të Ramës dhe Vuçiç, por edhe përsëritjes së retorikës të dyanshme politike për të fituar pikë, Serbia vazhdon të krijojë vështirësi shtesë sa i përket Kosovës. E fundit kjo lidhet me Trepçen. Pavarësisht faktit se Serbia e ka humbur mundësinë ta bëjë çështje “Trepçen”, ajo po vazhdon të përfitojë prej konfuzionit politik kosovar. Për hir të së vërtetës, autoritetet kosovare megjithëse po e shfrytëzojnë shumë momentin dhe kaluan në parlament mënyrën e administrimit të saj, nuk kanë fuqinë ta shfrytëzojnë si duhet “Trepçën”. Këto janë në një farë mënyre pak shqetësimet e jashtme, sepse të brendshmet nuk mbarojnë për kosovarët.

Kosova administrohet nga të fortët, një grup që është referuar hapur se ka lidhje me krimin e organizuar. Zgjedhjet e kaluara janë vjedhur në një përmasë gati 40% sipas raporteve ndërkombëtare mbikëqyrëse, shtonte në këtë argument Veton Surroi në një intervistë.

Por edhe kjo është pak, para presionit të madh politik dhe luftës së madhe të strukturave paralele serbe në Kosovë, që pothuaj e kanë paralizuar krejt vendin. Kosova nuk po krijon dot ushtrinë e saj, nuk ka kodin e saj telefonik, ka të bllokuar veriun e vendit, teksa qeveria e saj vazhdon t’i gënjej dhe t’u shpalos një realitet që nuk ekziston.

Mbase sfondi është i gjerë, por në javët e fundit është shtuar edhe një luftë pa sens. Kjo është një luftë virtuale e pasens nga Shqipëria, më saktë nga personazhe të ndryshme, të cilët po krijojnë artificialisht një pakënaqësi që duket se i kalon madje edhe problemet reale mes dy vendeve. Nuk bien më poshtë shumë kosovarë që merren me çdo gjë dhe shikojnë deri krijimin e një nën-identiteti, duke e argumentuar me lloj-lloj idesh. Është filluar me ankesat për ekipet respektive përfaqësuese, për fat kanë reshtur disi problemet e barrierave doganore, por janë shtuar personazhet e  ndryshme që merren me vizitën e Ramës, patetikë që u përvishen kosovarëve , si edhe kopetentë që u veshin kritika dhe çështje që i kalojnë realisht problemet e Kosovës.

Duket se Kosovën, këtë shtet-bebe të vogël duan ta mbysin të gjithë. Qoftë edhe ata njerëzit që dikur ishin simbol për lirinë e saj. Njerëzit e UÇK-së, më së shumti ata që drejtuan luftën, sot paradoksalisht ka pak të tillë që nuk janë të përfolur, shtuar me shumë nga qeveritarët e sotëm, që e kanë futur në një spirale të kriminalizuar vendin, që kulmoi me përgjimet PRONTO.

Kosova është në hapat e parë të shtetit të saj dhe realisht më shumë se gabimet e saj ka reflektuar të gjithë gabimet e të rekrutuarve të administratës evropiane. Kjo e fundit është  vetë përgjegjëse dhe fajtore e një projekti të madh pan-evropian, që po rrezikohet.

Kosovës së re sot i mungon një platformë politike idealiste dhe forcat që mund ta çojnë para ata, e paradoksi është se kjo ka pak gjasa të ndodhë edhe në të ardhmen. Argumenti ynë ndjek performancën e politikanëve të shumtë kosovarë dhe tollovinë që kanë krijuar ashtu si edhe prezantimin e dobët në bisedimet me palën serbe. Duket se qeveritarët e sotëm të saj janë të majmur me pushtetin dhe përfitimet e tij, kurse opozitarët me kotësinë e të protestuarit për çdo gjë. Kurse kosovarët e thjeshtë që vuajnë kapriçon e serbëve për energjinë dhe Trepçen, por edhe fjalët e bjerraditësve dhe sidomos shumë personazhe të Tiranës që nuk e njohin fare Kosovën, janë të përballur me një jetë që vetëm po vështirësohet.

Kjo bebe e vogël ndër shtete të  Evropës ka nevojë të forcohet, e si e tillë, duhet të mos ia bëjmë jetën edhe më të vështirë sesa e ka, anipse duket se të gjithë duan ta mbysin atë. (Javanews)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU