Kosova importon nga Serbia, dyfish më shumë nga Shqipëria

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovë për tregtinë e jashtme për muajin qershor flasin për një thellim të deficitit tregtar për mbi 23 për qind. Ndërkohë që Serbia vazhdon të jetë partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon. Vlera e importeve nga Serbia është dyfish më e madhe se sa ajo nga Shqipëria.“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 23.5% në muajin qershor 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 268.5 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 217.4 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 12.1%”, thuhet në komunikatë e Agjencisë së Statistikave.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin qershor 2018 kishte vlerën 37.1 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rënie prej 2.8 për qind për eksport dhe një rritje prej 19.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pjesë më të madhe të eksporteve e përbëjnë metalet bazë.

 

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 25.9% e përbëjnë produktet minerale; 10.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 7.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4% e përbëjnë produktet bimore; 4.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 3.4% e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 2.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj”, thuhet në komunikatë.

Tutje në deklaratë përmenden të dhënat e grupeve kryesore për import: 16.0 për qind të importit e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 12.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 4.4 për qind e përbëjnë produktet bimore etj. Eksportet e Kosovës drejt BE-së shënojnë një rritje 15.5 për qind në qershor.“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 13.3 milionë Euro, ose rreth 35.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Sllovenia (9.9%), Gjermania (5.6%), Holanda (4.2%), Britania e Madhe (3.4%), Italia (2.6%)”, bën të ditur komunikata.

Përderisa importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 140.2 milionë euro, ose 45.9 për qind e importeve të përgjithshme, një rritje prej 28.2 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 15.4 për qind, Italia 7.1 për qind, Greqia 3.6 për qind), Spanja 3.5 për qind, Polonia 2.5 për qind.

Në muajin qershor 2018, sipas të dhënave të ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.4 milionë Euro, ose 47.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 7.6 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 14.4 për qind, Serbia 13.4 për qind, Maqedonia 11.8 për qind, Mali i Zi 5.2 për qind.

Për dallim nga eksportet, importimi i mallrave nga vendet e CEFTA-s shënoi një rritje prej 12.8 për qind. Vlera e importeve ishte 80.8 milionë euro, ose 26.4% të importeve të përgjithshme.

Kosova importon dyfish me shumë mallra nga Serbia krahasuar me Shqipërinë.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.3%), Shqipëria (6.7%), Maqedonia (4.8%) dhe B&H (2.1%)”, thotë komunikata.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.3 milionë euro, ose 17.0 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra me 10.1 për qind.Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 84.6 milionë euro, ose 27.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 10 për qind dhe Kina 8.7 për qind, përgatiti ”Kallxo.com”. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU