Në mesin e katër marrëveshjeve të arritura të martën në Bruksel, ishte edhe ajo për lëvizjen e lirë në urën e Mitrovicës, por përveç asaj për asociacionin që është bërë publike, përmbajtja e të tjerave nuk është publikuar, raporton KTV.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i ka thënë KTV-së se më 15 tetor do të hiqet barrikada, e po të njëjtën ditë do të fillojnë punimet për rivitalizimin e saj, që do të zgjasin deri në mesin e vitit 2016.
Tahiri në emisionin “Interkativ” e ka pranuar se disa afate të paralajmëruara për heqjen e barrikadës, që tani quhet “Parku i Paqes”, nuk janë respektuar, por që për këtë ia ka lënë fajin BE-së.
Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se banorët e veriut nuk duhet të brengosen dhe se ura do të jetë e kalueshme vetëm për këmbësorë.
Zyra për media e Federica Mogherinit nuk ka qenë në gjendje të kthejë një përgjigje nëse do të publikohet apo jo përmbajtja e marrëveshjes për lëvizjen e lirë.