Kosova arreston “Babalen” për llogari të drejtësisë shqiptare

Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Pas akuzave të ngritura nga autoritetet e Tiranës, ai u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Veliu njihet si protagonist i audio-përgjimit  ku pretendon se ka biseduar me shtetasin Agron Xhafaj.

Lajmi konfirmohet nga Policia e Shtetit. Sipas mediave në Kosovë, Veliu u vu në pranga sot në qendrën e azilit në Prishtinë dhe u dërgua në paraburgim.

Pak ditë më parë, ndaj Veliut është vendosur masa e arrestit me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të Prokurorisë.

Kjo e fundit e akuzon Albert Veliun për veprat penale “Kallëzimi i rremë” kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i Paligjshëm i Kufirit”.

Akuza e parë lidhet me rolin e tij në audio-përgjimin që u akuzua se implikon në trafik droge shtetasin Agron Xhafaj. Ndërsa akuza e dytë lidhet me kalimin e tij nga Shqipëria në Kosovë në mënyrë të jashtëligjshme.

Albert Veliu apo “Dëshmitari X”, është ndaluar edhe më parë në Kosovë. Në 28 Maj 2018 Veliu u ndalua në Shtime, pranë Ferizajt në Kosovë. Ai ishte bashkë me djalin e tij, në momentin e ndalimit nga policia vendase

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU