Kompleksi i Berishës për përgjimet dhe shpikja e videos

Nga Mero Baze

Shqipëria është përfshirë në një spirale të pazakontë të videopolitikës, ku politika dhe shtypi, kanë ndërruar vendet, në mungesë të ideve. Në çdo vend normal të botës, investigimi dhe përgjimet janë pjesë e gazetarisë, prej të cilave shkaktohen tërmete politike, ndërsa në Shqipëri videot dhe investigimet ofrohen si produkte politike, nga e cila mbijetojnë portalet dhe shtypi.

Aq shumë është ekzaltuar opozita nga kjo situatë, sa Berisha tenton të mbajë opinionin e karikuar, me idenë se do të ketë një shfaqje tjetër, një video tjetër, një përgjim tjetër, një skenë seksi tjetër, tani pa brekë fare etj.

Si gazetar nuk jam kundër përgjimeve dhe fakteve që provojnë të vërteta të hidhura për interes publik. Në çdo rast që do t’i kisha në dorë, do t’i bëja publike. Kjo e ndihmon gazetarinë dhe lirinë e shtypit.

Por problemi që ka opozita shqiptare me këtë strategji, është tërësisht në disfavor të saj për disa arsye.

Arsyeja kryesore është, se opozita realisht nuk është zotëruese e ndonjë informacioni serioz, apo e ndonjë investigimi të thellë të qeverisjes, por ka rënë në batakun e denoncimeve të rastësishme të klaneve politike apo qytetarëve, të cilat shpesh janë histori personale, dhe mendon se mund të prodhojë politikë me to. Videoja e famshme e Shukriut, nuk ishte një zbulim i opozitës, por më shumë luftë klanesh nga shumica, dhe as fotomontazhet e Berishës me foto interneti nuk janë investigimi i tij, për parcelat me hashash në Shqipëri, që në të vërtetë nuk mungojnë. Opozita është duke bërë më shumë rolin e “telendarit”, se sa të denoncuesit, dhe si e tillë, thjeshtë po mban gjallë shtypin, por jo opozitën.

Mjafton të shikosh historinë e “çimkës” që u gjet në paradhomën e ministrit Tahiri, për të cilën Berisha u njoftua në kohë reale sapo u kap, siç u informua po në kohë reale që ajo nuk ka regjistruar ndonjë gjë që mund t’i bëjë punë atij. Ai ka një javë që ngre vëmendjen e opinionit për të, dhe sot që Tahiri ka dhënë shpjegime në Prokurori, doli me versionin që ai i ka fshirë pamjet.

Por, siç mund ta kujtojë fare lehtë Berisha, edhe Dritan Prifti i kishte fshirë pamjet e veta, por Prokuroria ja ristartoi, kështu nuk është argument për të mbuluar gënjeshtrën që ka një javë që e thotë.

E vetmja gjë e vërtetë aty, ka të bëjë me faktin që është tentuar të përgjohet ministri i Brendshëm në paradhomën e tij, dhe kjo duhet hetuar me seriozitet. Pastaj paralajmërimet e Berishës për filma me seks, vlejnë për të kënaqur fantazinë e tij seksuale në pleqëri, meqë nuk është marrë me këtë punë në kohën e vet.

Nga ana tjetër, kapja pas seksizmit, e bën shumë të fortë vëmendjen e publikut tek histori të tilla, duke lënë më në hije histori të keq-qeverisjes, apo ide të reja, nëse ka opozita për të ardhmen.

Historitë e seksit në politikë, janë histori që i bëjnë më shumë punë atyre që janë në pushtet, se atyre që duan të vijnë në pushtet, nën akuzën se këta “bëjnë seks”. Qeverisja ka plot probleme me të cilat opozita mund të dëshmojë fuqi dhe ide për të ngjallur shpresë, por ngazëllimi i saj se mund t’ia dalë të bëjë opozitë duke shpresuar për t’u treguar shqiptarve se si pallojnë pushtetarët e sotëm, është mundim i kotë.

Kompleksi i Berishës për të përgjuar kundërshtarët është epik. Prej vitit 1992, ai ka qenë dhe investimi i tij kryesor ndaj kundërshtarëve politikë, çfarë ka kulmuar në vitin 2011 deri në vitin 2013, ku na ka përgjuar dhe sa herë kemi shkuar në tualet. Fëmijëria e tij e hidhur, ka po ashtu një rast përgjimi dhe dëshmie incesti pas frëngjisë së kullës, që e ka bërë atë t’i rrijë larg asaj kulle dhe prindërve të tij, që nga vitet ‘60. Dhe vesi del bashkë me shpirtin.

Në fund, për aq sa e njoh Berishën, dua të them se ai nuk ka asnjë video, për një arsye që lidhet me vetë karakterin e tij. Video mund të ketë plot për politikanë, gazetarë apo biznesmenë. Ato mund t’i kenë rivalët e tyre, të dashurat e tyre, gratë e tyre, apo gjithkush tjetër. Mund të ndodhë dhe t’ia çojnë Berishës, por nuk duket se kjo ka ndodhur. Ai përveçse nuk është një tip racional që të dijë të përdorë fakte apo të planifikojë strategji ndaj kundërshtarëve, ka dhe një kuriozitet pervers për seksin dhe pornografinë, sa nuk duron dot as 5 minuta për ta publikuar. Mbaj mend të ndjerin Olldashi sa shumë u lodh që fotot nudo të Edi Ramës, që ja dërguan në rrugë anonime, t’i mbante larg tij në fushatën e vitit 2007. Në një farë mënyre ja doli t’i mbante së paku një javë, derisa në fund ai përdori Fallziçin, thjesht për t’i parë të skanuara dhe i postoi menjeherë në një listë adresash nga e cila u peshkua gazeta “Sot” dhe të nesërmen e botuan gjithë gazetat. Rezultati ishte që Rama e ktheu atë në favor të vet, por ajo që dua të them është se Berisha nuk duron dot të mbajë një video ndaj kundërshtarit, duke pritur një “kohë të përshtashme”. Edhe në rastin e Ramës, sapo botoi fotot, filloi të flasë se ka dhe një video, me idenë se terrori mund ta gjunjëzonte kundërshtarin, që në fakt e forcoi.

E gjitha çfarë tha për Tahirin, ishte pikërisht shpresa se mos kishte regjistruar gjë “çimka” që i kishte dërguar në paradhomë dhe meqë ju raportua që s’ka gjë, sot i duhet të shpikë që dikush i ka fshirë. Asgjë nuk fshihet në të vërtetë, përveç energjive të kota që opozita po harxhon me shpresë se do t’i zemërojë shqiptarët, duke konkurruar me rivalët e vet në fushën e seksit. Nëse vërtet ky është prioritet i opozitës dhe Berishës, është më mirë të vërë Pangon në vend të Bashës. Të paktën të ketë garë!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU