Komiteti do që Dylani të performojë në ceremoninë e “Nobelit”

Bob Dylani nuk është i obliguar të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit “Nobel” në Stokholm, por i kërkohet që të mbajë një lloj ligjërate apo të këndojë një këngë.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Sara Danius, ka thënë për Radion Publike të Suedisë që Dylani mund të mbajë një fjalim të shkurtër, të ketë një performancë, qoftë një videoprezantim apo edhe të këndojë, shkruan “Koha Ditore”.

“Besoj që do ta bëjë atë që ai do“, ka thënë ajo, duke shtuar se Akademia “do të bëjë gjithçka që mundet që të adaptojë aktivitetin me dëshirat e tij”.

Dylan më në fund ka thyer heshtjen të premten duke thënë se planifikon që ta pranojë çmimin “Nobel” për letërsi më 10 dhjetor në Stokholm, duke e cilësuar atë si diçka mahnitëse e të pabesueshme.

“Është e vështirë të besohet për secilindo që ëndërron diçka të tillë?”, i ka thënë këngëtari amerikan gazetës britanike “Daily Telegraph” të premten. I pyetur nëse do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve “Nobel” që organizohet nga mbreti suedez Carl XVI Gustaf, Dylan ka thënë. “Absolutisht. Nëse është e mundshme”.

Këngëtari 75-vjeçar është zgjedhur laureat më 13 tetor të këtij viti, por një anëtar i Akademisë e kritikoi atë një javë pasi Dylan nuk u ishte përgjigjur thirrjeve të Akademisë…(b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU