Kombëtarja, Memushaj: Largimet nuk na dobësojnë, kemi lojtarë po aq të fortë

Ledian Memushaj do të jetë ndër të paktët futbollistë shqiptarë që do të luajnë në elitën e futbollit italian me shiritin e kapitenit. I vetmi që do ta ketë këtë status që nga fillimi deri në fund dhe kjo i sjell një krenari dhe kënaqësi të veçantë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori vlonjat rrëfen marrëdhënien me Rei Manajn dhe mundësinë e artë që ka djaloshi i Kombëtares. Ka një këshillë për të gjithë bashkëlojtarët kuqezi në Kombëtare dhe komenton ngjarjet e fundit të saj. Në rrëfimin e tij, veçon një mesfushor në Serinë A si dhe tregon projeksionet që ka për këtë edicion të kampionatit italian.

Do të jeni i pari shqiptar që do të luani në Serinë A me shiritin e kapitenit në krah. Çfarë ndjesie është kjo?

Të jem i sinqertë, nuk e kam menduar këtë fakt, por sigurisht që është kënaqësi shumë e madhe dhe krenari e tillë në të njëjtën kohë. Uroj dhe shpresoj që ta shpërblej këtë nder duke dhënë maksimumin për skuadrën. Duke pasur këtë post, nuk mjafton diçka e tillë vetëm brenda fushës, por edhe jashtë saj duhet të jem model.

Cili është objektivi juaj personal këtë sezon në krahasim edhe më atë të klubit?

Asnjëherë nuk i kam veçuar objektivat e mija me ata të klubit. Do të kërkojmë që të qëndrojmë në Serinë A sa më shumë që të jetë e mundur. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por jemi përgatitur mjaft mirë për diçka të tillë.

Ju është larguar një sulmues si Lapadula. Sa ju ka dëmtuar?

Normale që ndikon, pasi Lapadula ka qenë vjet një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm, megjithatë këtë sezon kemi marrë lojtarë shumë të mirë që jam i sigurt se do të luajnë mirë për të mos u ndier mungesa e Lapadulës.

Është Manaj një prej tyre?

Normalisht që po! Rei është një sulmues shumë i rëndësishëm për ne dhe presim shumë nga ai, pasi ka mundësinë që të jetë ndër më të mirët e Serisë A në rolin e tij.

Çfarë këshillash i keni dhënë për skuadrën?

Nuk besoj të ketë nevojë për këshillat e mija. E vetmja gjë që mund t’i them është që ka mundësi shumë të madhe këtu në Peskara dhe ta shfrytëzojë sa më mirë. Unë gjithashtu do të jem shumë i kënaqur për të, pasi është një djalë i shkëlqyer.

Projeksionet e këtij sezoni sipas jush, kush e fiton kampionatin dhe cila do të jetë skuadra surprizë?

Mendoj se e fiton Juventusi dhe uroj që të jemi ne ekipi surprizë.

Cilin mesfushor do të veçonit nga Seria A si më i vështiri për t’u përballur?

Ka shumë. Më pëlqente Pogba, por tashmë nuk është më në këtë kampionat.

Për të kaluar te Kombëtarja. Si e komentoni vendimin e Rashicës, Mehës dhe Shalës për të luajtur me Kosovën?

Secili është i lirë të zgjedhë se çfarë do.

Largimi i një talenti si Rashica, mendoni se na ka dëmtuar?

Jo, nuk besoj. Kemi shumë lojtarë të fortë dhe në të njëjtin nivel.

Rrezikohet që në të ardhmen të bëhet rast i vazhdueshëm që lojtarët me origjinë nga Kosova të largohen, sa herë mbeten të pakënaqur?

Të them të drejtën, nuk besoj se vendosin për Shqipërinë si zgjedhje të parë dhe pastaj shkojnë të Kosova nëse nuk u shkojnë gjërat mirë këtu.

Panorama Sport/d.i.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU