Kokaina e Maminasit, hetimi i gjermanëve vonon ekstradimin e Çekajt

Procedurat ligjore në Gjermani po vonojnë prej 2 muajsh ekstradimin drejt Shqipërisë të Arbër Çekajt, porositësit të kontenierit me banane nga Kolumbia, ku u kapën 613 kg kokainë.

Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, nga ana e autoriteteve tona janë dërguar të gjitha letër-porositë dhe mbetet në vlerësim të autoriteteve gjermane ekstradimi i pronarit të firmës “Arbri Garden”. Po sipas burimeve, vonesa e esktradimit të Çekajt lidhet edhe me hetimin që krahas autoriteteve shqiptare po zhvillojnë edhe agjencitë gjermane të zbatimit të ligjit për sasinë rekord të kokainës që mbërriti në Durrës.

38-vjeçari me origjinë nga Tropoja besohet se ka dhënë shpjegime të vlefshme mbi rolin e tij dhe skemën e trafikimit të drogave të forta. Ai u arrestua në një provincë të Dyzeldorfit më 4 maj dhe për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë përdorte identitet të dyfishtë me mbiemrin Jansen.

Për ngarkesën rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në Shqipëri, vijojnë të mbeten pas hekurave vetëm shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri i firmës, Donaldo Lushaj, ndonëse dyshohet se në këtë ngarkesë janë të implikuar disa grupe kriminale. Por, që prej 28 shkurtit, kur në Durrës u kap sasia e drogës me vlerë 180 milionë euro, veprimet policore duket se janë të vakta. Dosja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe task forca speciale e policisë për operacionin “forca e ligjit”.

Kjo e fundit njoftoi të enjten bllokimin e dy llogarive bankare për llogari të subjekteve të “Arbri Garden” dhe “Ecoalmax shpk”, në vlerën e 38 mijë dollarëve dhe 10 milionë lekëve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU