Klosi në Fier: Rriten me 40% të regjistruarit në shkollat profesionale
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ministri Blendi Klosi ka nisur sot nga Fieri një tur inspektimesh në të gjitha shkollat profesionale për të qenë gati për të pritur nxënësit që kanë zgjedhur të ndjekin arsimin profesional, si një zgjidhje që nesër do t’u japë një zanat dhe një punë të denjë.
I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ministri Klosi ka qenë në shkollën e mesme profesionale “Rakip Kryeziu”, ku kanë parë nga afër kushtet që ofron kjo shkollë, klasat, laboratorët, konviktet dhe bazën materiale për kryerjen e praktikës në fushën e agrobiznesit dhe të veterinarisë.
Në fjalën e tij, ai ka vlerësuar punën e kryer deri më tani me krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit, ndërsa ka theksuar se falë reformës që ka ndërmarrë qeveria dhe ndarjes së profileve në arsimin profesional, në këtë shkollë për herë të parë është shënuar një numër rekord regjistrimesh pre 200 nxënësish.
“Mësova nga drejtori i shkollës së në vitin shkollor 2012-2013, numri i nxënësve të regjistruar në degët Agrobiznes dhe Veterinari ishte vetëm 7 nxënës. Çka praktikisht ka bërë që këtë vit shkollor në këtë shkollë të mos ketë vit të tretë. Ndërkohë që reforma që kemi ndërmarrë në këto dy vite, por edhe përfshirja e biznesit në administrimin e shkollave tona profesionale kanë rritur interesin e të rinjve për të ndjekur edhe profile plotësisht bujqësore. Ndaj sot, ne në këtë shkollë kemi të regjistruar në vit të parë afro 200 nxënës”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.