Kishte investuar kursimet në parcelën e drogës, i riu u vetëvra pas asgjësimit të drogës nga policia?

Një 32-vjeçar, i cili në vitet e fundit kishte qenë në emigracion, i ka dhënë fund jetës me një pushkë që e mbante në banesën e tij. Sipas Policisë, Festim Kanushaj nga fshati Zhapokikë është dërguar nga familjarët e tij drejt Spitalit të Gjirokastrës pas plagëve të marra në trup, si pasojë e armës së zjarrit.

Trupi ka mbërritur i pajetë në spital, ndërsa policia, e sinjalizuar nga bluzat e bardha, mbërriti në vend dhe nisi hetimet. Paraprakisht, grupi i ekspertëve që po heton ngjarjen dyshon për një vetëvrasje të të riut, por nuk përjashtohet as një vrasje e mundshme e tij, pistë e cila është duke u hetuar.

Për këtë çështje janë pyetur familjarët e 32-vjeçarit që, sipas Policisë, kanë pranuar se e kanë gjetur njeriun e tyre të mbushur me gjak dhe armën përbri trupit. Kjo, sipas tyre, lë të kuptohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje të pastër, raporton “Panorama”.

Akti i vetëvrasjes ka ndodhur pasditen e së djeshmes, por nuk konfirmohet zyrtarisht motivi. Sipas burimeve të policisë, Kanushaj dyshohet se kishte hedhur një sasi të konsiderueshme parash të fituara nga emigrimi në veprimtarinë e paligjshme të kultivimit të drogës. Ky është një dyshim që nuk është konfirmuar zyrtarisht, por mbetet një pistë që, sipas të dhënave, është duke u hetuar.

Dyshohet se i riu ka pësuar ngarkesa të forta psikologjike në momentin kur sipërmarrja e tij është shkatërruar, rreth 3 muaj më parë, pas një operacioni policor të kryer në zonën e Zhapokikës.

Asokohe u asgjësuan rreth 500 mijë rrënjë kanabis në parcela të ndryshme të zbuluara. Policia po heton nëse i riu ka pasur lidhje me njërën prej këtyre parcelave. Gjithashtu, po hetohen edhe pista të tjera.

Ndërkaq, familjarë të tij u shprehën se ai kishte hedhur një sasi parash në një sipërmarrje private, por investimi pati zero rezultat. Ata nuk konfirmuan se për çfarë sipërmarrjeje bëhej fjalë.

Sipas tyre, Festimi kishte shfaqur shenja mërzitje të madhe gjatë kohëve të fundit, çka reflektohej në mbylljen e tij me veten.

Sipas të dhënave, viktima rezulton të jetë arrestuar në vitin 2011 për vjedhje të një lokali në Sarandë, ndërsa në maj të 2012-s, bashkë me vëllain e tij u prangosën, pasi u akuzuan për prishjen e disa bunkerëve në sitin arkeologjik në Finiq.

Ndërkohë, në vitin 2013, Kanushi është akuzuar për “plagosje të lehtë me dashje” dhe “shkatërrim prone”./Panorama/a.k.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU