Kina i refuzon vizën një atleteje indiane… 101-vjeçare!

Në moshën 101-vjeçare, indiania Man Kaur ëndërronte të merrte një medalje tjetër ari gjatë Lojërave aziatike të Mjeshtrave, por ëndrra e saj u thye sot, pasi Kina refuzoi t’i jepte vizë.

Man Kaur, fituese në muajin prill në Auckland e titullit të 100 metrave në kategorinë e 100-vjeçarëve gjatë Lojërave botërore të Mjeshtrave, ishte stërvitur prej shumë kohësh për të marrë pjesë në kompeticionin që zhvillohet në Rugao, në lindje të Kinës.

“Jam shumë e dëshpëruar që m’u refuzua viza”, tregon ajo.

“Kudo ku ne shkojmë, kthehemi me fitore dhe këtë herë kisha besim se do të fitoja”, shtoi ajo.

“Por, ky nuk është fundi. Do të vazhdoj të stërvitem dhe do të marr pjesë në lojëra të tjera”, nënvizoi ajo.

Kaur, e cila e ka filluar atletikën në moshën 93-vjeçare, do të merrte pjesë në Rugao në garat 100 dhe 200 metra.

“Ne kemi udhëtuar kudo në botë, nga Anglia në SHBA duke kaluar nga Zelanda e Re, kurrë nuk na është refuzuar viza”, deklaroi Gurdev Singh, djali i saj 79-vjeçar.

Man Kaur, e ashtuquajtur “mrekullia e Chandigarh”, emri i metropolit të veriut të Indisë, ku 100-vjeçarja ka origjinën, është një prej personave të zgjedhur për çmimet prestigjioze “Laureus Awards” në kategorinë “Momenti më i mirë sportiv i vitit”.

Ajo vrapoi në muajin prill një 100 metërsh në 1’14”, rreth 64 sekonda më shumë se rekordmeni i botës, xhamajkani Usain Bolt./b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU