Një amerikane e dënuar në fillim të javës për spiunazh nga një gjykatë kineze u dëbua dje nga Pekini dhe u rikthye në SHBA, theksoi sot një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Sandy Phan-Gillis, një biznesmene, u arrestua më 20 mars 2015 kur po kalonte kufirin drejt Macaos, në përfundim të vizitës në Kinën kontinentale të një delegacioni ekonomik amerikan.
“Pas dy viteve në burg, ajo u dënua të martën nga Gjykata Ndërmjetësuese e Nanningut me tre vite e gjysmë burg për spiunazh”, sipas informacioneve të publikuara nga Fondacioni Dui Hua, një OJQ që ndodhet në San Françisko (SHBA).
Por, Phan-Gillis u dëbua dje nga autoritete kineze dhe mbërriti në Los Anxheles në po të njëjtën ditë, ku u prit nga bashkëshorti dhe anëtarët e familjes”, njoftoi sot në një komunikatë Fondacioni Dui Hua.
Lirimi i shtetases amerikane ndodhu pak pas një samiti të presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping, që shënoi një afrim mes dy drejtuesve, përballur me çështjen e nxehtë të programit bërthamor koreano-verior./b.d