Kërcënimi me armë i gazetarit, PD: Agresori u la i lirë, Julian Shotës i rrezikohet jeta

TIRANE- Deputeja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar sot për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në Laç, ku u kërcënua me armë zjarri gazetari Julian Shota. Përmes një reagimi për mediat, në emër të Partisë Demokratike dhe si Kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias, Vokshi ka denoncuar dhunën ndaj gazetarit.

“Pas lumit të fyerjeve, shantazheve, poshtërimeve të Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve dhe mediave, që ai i quante “kazan”, gazetarët janë shënjestruar, jo vetëm nga bandat kriminale të lidhura me pushtetin, por nga çdokush që bën pazare me pushtetin dhe Edin”, thuhet në reagimin e deputetes Vokshi.

Ajo i ka kërkuar policisë dhe prokurorisë të mbrojnë qyetetarët.

DEKLARATA E DEPUTETES ALBANA VOKSHI
Gazetari Julian Shota u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç.

Pronari i lokalit i vuri pistoletën në kokë, i filmoi makinën dhe e kërcënoi Julianin bashkë me babain e tij, kameraman.

Kjo ngjarje, e cila vjen menjëherë pas breshërisë me plumba në mes të natës, në muret e shtëpisë së familjes së Klodiana Lalës, dëshmon që liria e medias dhe jeta e gazetarëve në Shqiperi është çdo ditë e më shumë e kërcënuar.

Pas lumit të fyerjeve, shantazheve, poshtërimeve të Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve dhe mediave, që ai i quante “kazan”, gazetarët janë shënjestruar, jo vetëm nga bandat kriminale të lidhura me pushtetin, por nga çdokush që bën pazare me pushtetin dhe Edin.

Por, si në një marrëveshje të heshtur, asnjë institucion e askush nuk ka reaguar për gazetarin Shota.

Nga ajo çka raportohet, policia nuk i ka ardhur në ndihmë menjëherë gazetarit, ndërkohë që me urdhër të prokurorisë agresori është i lirë, duke rrezikuar jetën e gazetarit dhe familjes së tij, si dhe duke dhënë një tjetër provë tronditëse të kriminalizimit të të gjitha strukturave ligjzbatuese në vend.

Në emër të Partisë Demokratike dhe si Kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias, shpreh shqetësimin e madh për sjelljen e Policisë dhe Prokurorisë, të cilat nuk duhet të bëhet vegël e krimit pasi mosreagimi i duhur, mbrojtja e kërcënuesve, jo vetëm sjell mbulimin e të vërtetës e shtrembërimin e realitetit, por lë terren që ngjarje të tilla të përsëriten.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU