Kërcënimi amerikan/ Trump i përgjigjet Phenianit: ‘Të gjitha opsionet janë në tryezë’

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, duke iu përgjigjur provës së fundit me raketë të ndërmarrë të martën në mëngjes nga Koreja e Veriut. Në një deklaratë të bërë sot, Presidenti Trump tha se “Bota e mori të qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut: ky regjim sinjalizoi përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare.”

Presidenti Trump tha se “veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm rrisin izolimin e regjimit të Koresë së Veriut në rajon dhe mes të gjitha vendeve të botës.”

Raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut fluturoi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar alarm mes zyrtarëve qeveritarë në Tokio dhe duke rritur ndjeshëm shqetësimet diplomatike rreth krizës mbi programin ushtarak të Phenianit. Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë thanë se po studionin të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores.

Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido. Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”. Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë. VOA

OKB mblidhet urgjentisht

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i OKB-së njoftoi një mbledhje urgjente në përgjigje të episodit të rrezikshëm. Australia dhe Tajvani e dënuan me forcë veprimin provokues, ndërsa avionët e Seulit simuluan bombardime në kufi.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU