Kapexhiu, Nder i Kombit, vlerësimi nga Presidenti për 75-vjetorin e lindjes

Pothuajse të gjithë e njohin karakterin dhe linjën e karikaturës së Bujar Kapexhiut. Me një humor të bukur ai zbulon karakteret e personazheve. Që në fillim ai spikati me karikaturat e tij me prirje natyrale, të fortë dhe origjinale. Qëkur e filloi tek Hosteni ai nuk u ndal më.

Ai është një vëzhgues shumë i kujdesshëm i realitetit me momentet e bukura dhe të vështira të tij. Sepse më pas ai do t’i shndërrojë të gjitha me një elegancë dhe një ironi therëse në karikatura. Dhe kur vjen puna tek ky art, emri i Bujar Kapexhiut, është i lidhur si një sinonim.

Ndërsa këtë të premte ai mbushi 75 vjeç, kjo ditëlindje i erdhi bashkë me urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

“Pa dyshim të vlerësohet një punë e madhe aq më tepër nga Presidenti i Republikës është një nga deret më të mëdha që të bëhet dhe të bën krenarë dhe të mobilizon akoma më tepër për të punuar akoma më shumë. Karikaturën e kam filluar 55 vjet më parë qëkur kam qenë nxënës në gjimnaz vizatoja në dërrasën e zezë karikatura. Nga dërrasa e zezë pastaj kaluan nëpër revistaa, nëpër gazeta. Dhe ka ardhur deri më sot”, thotë Bujar Kapexhiu, artist.
Keni bërë më shumë miq apo armiq nga kjo punë?
“Kam shumë miq, që i kam fituar vetëm nga karikatura”, thotë ai.
Sot karikatura shqiptare nuk ka shumë produkt krijues. Megjithëse realiteti ofron shumë ngjarje që mund të shndërrohen në subjekte interesante të saj.
“Personazhet e mi nuk i zgjedh unë. I zgjedh dita, politika, aktualiteti dhe unë në bazë të saj shkoj”, tregon Kapexhiu.
Kë po shndërroni në karikaturë për momentin?
“Për momentin janë në qendër të gjithë politikanët. Aq më tepër në këtë situatë që përplasen me njëri tjetrin. Unë jam midis xixave të kësaj përplasjeje”, përgjigjet artisti Bujar Kapexhiu.
Me simbolikën, analitikën dhe kulturën e lartë sot Bujar Kapexhiu e ka sjellë karikaturën si një vlerë unike.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU