Kaosi europian fitoi mbi aspiratat ballkanike

Nga Skënder Minxhozi/

Në fund, mbi dëshirën e Tiranës dhe Shkupit për hapjen e negociatave me BE, fitoi kaosi dhe frika. Kaosi që kanë sjellë me vete qeverisjet anti-sistem brenda BE dhe frika e vendeve anëtare për të vijuar procesin e zgjerimit me dy vendet të cilat kishin marrë zyrtarisht dritën jeshile për hapjen e negociatave nga Komisioni Evropian. Nëse do ta përmblidhnim figurativisht: fitoi frika e Macron dhe skepticizmi i te tjereve.

Shqipëria dhe Maqedonia do të duhet të presin edhe një vit tjetër, për të marrë zyrtarisht ftesën për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kështu ka vendosur Këshilli i Marrëdhënieve të Përgjithshme, duke vulosur një qëndrim që tashmë mund të quhet zyrtar dhe i pakthyeshëm. Megjithatë kjo nuk është një mbyllje dere. Eshtë thjesht një shtyrje. E rëndësishme është që negociatat kanë tashmë një datë.

BE ka marrë një vendim të njëjtë për të dyja vendet ballkanike. Qëndrojnë të dyja jashtë procesit të hapjes së negociatave për momentin. Që do të thotë se Europa ka vendosur parimisht mbi procesin e hapjes së negociatave, e jo mbi meritat ose defektet e njërit apo tjetrit shtet. Kjo ka rëndësi të vihet në dukje, pasi qysh në krye të herës presidenti Macron ngulmoi që të fitojë linja e cila kërkonte që BE të rregullohet fillimisht së brendshmi, për të lejuar më pas hyrjen e shteteve të tjera në Union. Macron ja shprehu këtë gjë edhe Edi Ramës në takimin që pati në Paris, duke e mbrojtur më pas tezën e tij edhe para shteteve të tjera anëtare.

Shtyrja me një vit e hapjes së negociatave pasqyron gjendjen e punëve në ngrehinën e BE-së në verën e vitit 2018. Një ndërtesë e madhe, me pak unitet brenda. Lufta tregëtare me SHBA, dalja problematike e Britanisë së Madhe, qëndrimet divergjente mes Macron e Merkel, dobësia e kësaj të fundit brenda koalicionit qeverisës gjerman, turma e madhe e refugjatëve që mbush portet e Mesdheut – Bashkimi Europian noton në ujra të paqeta dhe jo të qarta. Pa harruar që në horizontin e vendeve kryesore të BE ndodhen disa procese elektorale tejet delikate, siç është rasti në Gjermani dhe Francë.

Kjo panoramë e shqetësuar duket se ka qenë konteksti bazë i shtyrjes së negociatave shqiptaro-maqedone. Europa nuk është vërtet e gatshme të na presë. Fundja jemi mësuar të presim. Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, thotë proverbi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU