Kanella rrit fuqinë e trurit dhe kapacitetin për të mësuar

Në bazë të eksperimenteve me minj, kjo erëz duket se e përmirëson funksionin e trurit dhe kujtesës, duke sugjeruar se mund t’i ndihmojë pacientët me çrregullime kognitive si sëmundja Alzheimer. Një dozë ditore e kanellës mund të jetë zgjidhja për studentët që kanë probleme për ta përmirësuar aftësinë e tyre të të mësuarit, në bazë të eksperimenteve të fundit me minj.

Trajtimet me kanellë i ndihmuan minjtë t’i mësojnë labirintet më shpejt në një eksperiment të kryer nga hulumtuesit në Departamentin Amerikan të Çështjeve të Veteranëve, duke sugjeruar se disa forma të erëzave mund të jenë të dobishme në rritjen e performancës së trurit.

Studimi u financua nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe nga Shoqata për Alzheimer i Çështjeve të Veteranëve dhe konstatoi se efektet e kanellës në tru bazuar në teori mund të ndihmojnë në çrregullime kognitive, si rritja e performancës së kujtesës.

Shumica e studimeve për kanellën janë përqendruar në diabet, por kur hulumtuesit e studiuan trurin e minjve të trajtuar me të, ata zbuluan se kanella e stimulon plasticitetin hipokampal dhe e forcon integritetin strukturor të qelizave të trurit, duke e përmirësuar funksionin dhe ndoshta duke i shpjeguar efektet e saj në aftësinë e brejtësve për të mësuar.

“Dallimet individuale në të mësuarit dhe performancën edukative është një çështje globale”, tha dr. Kalipada Pahan, studiues në Universitetin Rush dhe Qendrën Mjekësore Jesse Broën VA, në një njoftim për shtyp. “Në shumë raste, i gjejmë dy studentë të të njëjtit sfond që studiojnë në të njëjtën klasë, dhe njëri rezulton të jetë një nxënës i dobët dhe kalon më keq se sa tjetri akademikisht.

Tani duhet ta gjejmë një mënyrë për ta testuar këtë qasje tek nxënësit e dobët. Në qoftë se këto rezultate janë të njëjta tek studentët e dobët, ky do të ishte një përparim i mahnitshëm. Aktualisht, ne nuk jemi duke e përdorur asnjë nuancë ose substancë tjetër natyrore”.

Për këtë studim, të publikuar në “Journal of Neuroimmune Pharmacology”, studiuesit i trajtuan me kanellë minjtë me të mësuar të dobët, duke zbuluar se pas vetëm një muaji të trajtimit minjtë e kishin reduktuar kohën që u duhej për të vrapuar në një labirint dhe për ta gjetur vrimën për më pak se gjysmën e kohës që u ishte nevojitur para trajtimit.

Kur i krahasuam efektet e kanellës tek minjtë me të mësuar të dobët që iu nënshtruan trajtimit me minjtë me të mësuar të mirë, ata zbuluan se me kalimin e kohës, minjtë e trajtuar e mbyllën boshllëkun e të mësuarit.

Studiuesit zbuluan se benzoati i natriumit, të cilin trupi e prodhon pas shpërbërjes së kanellës, bëhet një përbërës aktiv që hyn në tru, duke e ndryshuar hipokampusin dhe duke e përmirësuar funksionin.

Përveç planifikimit të më shumë studimeve për aftësinë e kanellës për ta përmirësuar mësimin, studiuesit janë duke e planifikuar edhe një provë klinike për t’i testuar përfitimet e saj për pacientët me sëmundjen Alzheimer, përgatiti Express. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU