Kandidatët për kreun e KLSH në vetting, njësoj si gjyqtarët e prokurorët

Vettingu për kandidaturat që do të propozohen nga presidenti Meta për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, do t’i nënshtrohen nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë të njëjtit kontroll verifikimi siç po behet me gjyqtaret dhe prokurorët, bën me dije Erion Braçe.

Tre janë shtyllat kryesore, pastërtia e figurës, lidhjet me krimin dhe ligjshmëria e pasurisë. Nëse do zbatohen këto standarde atëherë Komisioni i Ekonomisë do të përjashtojë kandidaturat që kanë vendime gjyqësore penale të formës të prerë.

Lidhjet me botën e krimit do të verifikohen përmes të dhënave që do të kërkohen nga SHISH apo Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar.

I njëjti standard me vettingun do të thotë që edhe kandidaturat qe nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre do të përjashtohen.

Por përveç këtyre kritereve që Braçe thotë se do të aplikohen do të jenë edhe aftësitë dhe kualifikimet profesionale që do te shqyrtohen imtësisht nga Komisioni i Ekonomisë.

KLSH është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar për fondet publike. Posti i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit është nga më të rëndësishmit në republikën e Shqipërisë.

Ai ka mandat 7-vjeçar që votohet në Kuvend, ndërkohë që pas ndryshimeve të fundit kushtetuese është nga të paktat emërime që i kanë mbetur presidentit, i cili përfshihet duke propozuar kandidaturat./Tch

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU