Kamp refugjatësh në Shqipëri? Kancelari i Austrisë: Të shohim!

Kancelari i Austrisë nuk e ka përjashtuar mundësinë e një kampi refugjatësh në Shqipëri. Megjithëse nuk e ka konfirmuar, ai as nuk e ka mohuar si mundësi.

Austria është duke udhëhequr përpjekjet për ndërtimin e një kampi për emigrantët jashte territorit të BE-së. Kryeministri austriak, Kurz pas takimit me Ministrin e Brendshëm gjerman Seehofer dha pak detaje për këto përpjekje kur u pyet nga mediat.

“Austria po punon me një grup të vogël vendesh të BE-së për planin e ngritjes së qendrave të pritjes për refugjatët jashtë BE-së. Planet janë tejet konfidenciale për të rritur probabilitetin e realizimit të tyre”, deklaroi Kurz. I pyetur direkt nga gazetarët gjermanë se a është Shqipëria vendi ku do të ngrihen një kamp i tillë, kryeministri Austrisë dha një përgjigje të shkurtër. “Do ta shohim”, ishte përgjigja e tij.

Gazeta gjermane Der Spiegel, takimit të kryeministrit austriak Kurz me ministrin e Brendshëm gjerman, Seehofer, i ka kushtuar një artikull nga ku vijon pyetjen: A është Shqipëria vendi i mundshëm? Përgjigjen e jep duke cituar mediat austriake dhe kryeministrin danez, që shohin Shqipërinë si një mundësi.

Ndërkohë kryeministri Rama në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve ‘Anadolu’ e ka mohuar përsëri ndërtimin e kampit në vendin tonë.

“Sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës”, tha Rama

Megjithatë kryeministri Edi Rama shprehet se secili nga vendet e BE duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon.

“Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”, deklaroi Rama

Të martën zëvendës ministria e punëve të brendëshme Rovena Voda deklaroi se qeveria nuk ka marrë njoftim zyrtar nga ndonjë vend i BE apo KE për të ndërtuar një kamp për emigrantët e ardhur nga vendet e treta apo refugjatët.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU