Kalendari i ngjeshur, Rumenige fut në një “thes” San Marinon me Kosovën

Kritika të reja të Karl-Hainc Rumeniges për kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe mënyrën e organizimit të kualifikueseve të Botërorit dhe Europianit. Bajerni i Mynihut është një nga klubet më të dëmtuara nga grumbullimet e lojtarëve në përfaqësuese dhe vetëm këto dy vitet e fundit numëron plot 11 raste të futbollistëve të dëmtuar gjatë detyrave të tyre me kombëtaret (më problematiku nga të gjithë sigurisht ai i Arjen Robenit me Holandën).

Shefi i bordit të rekordmenëve të Gjermanisë deklaroi për “Bild”: “Sot kemi 40% më shumë ndeshje ndërkombëtare se në të shkuarën. Me çfarë kujtoj unë, më përpara kishim një fazë të dytë grupesh në Ligën e Kampioneve. E prishëm këtë formulë në mënyrë që të ulnim ngarkesën e futbollistëve. Por çfarë ndodhi? Këto katër javë u akorduan për ndeshje të kombëtareve”.

Formulë e re

Rumenige, pavarësisht se është drejtuesi i Bajernit, nuk flet kurrsesi vetëm në cilësinë e drejtuesit të kampionëve të Gjermanisë, sesa në atë të presidentit të Unionit të Klubeve Europiane dhe këto shqetësime janë të gjitha ato çka ndajnë klubet, të cilat dërgojnë futbollistë në kombëtare. Ditët e fundit një deklaratë e Tomas Mylerit rindezi edhe një herë debatin për të rishikuar formulën e grupeve kualifikuese të Botërorëve dhe Europianëve.

Fitorja e Gjermanisë 8-0 ndaj San Marinos të premten e shkuar ishte një shëtitje për kampionët e botës dhe sulmuesi vuri në diskutim nëse përplasja direkte e skuadrave më të forta me ato gati në nivel amator i bën mirë futbollit, duke u akuzuar edhe se deklarata e tij ishte mungesë e “fair-play”-t.

Edhe shefi i tij, Rumenige, është i të njëjtit mendim dhe krahas San Marinos, ai përfshin edhe kombëtaret e Kosovës dhe Gjibraltarit në këtë kategori, duke i marrë si shembull: “Tani ne luajmë kundër San Marinos, Gjibraltarit dhe Kosovës. Pyes veten: Përse nuk ka një fazë kualifikuese mes këtyre kombëtareve më të vogla?”

Vota e barabartë

Ish-lojtari i kombëtares gjermane kritikon edhe faktin se zëri i këtyre kombëtareve të vogla në FIFA dhe UEFA është njëlloj i fortë si ai i Gjermanisë dhe kombëtareve të tjera të mëdha, duke nënkuptuar votën e barabartë. “Bëhet fjalë gjithnjë e më pak për sportin dhe gjithnjë e më shumë për politikën dhe financat”, përfundoi 60-vjeçari.
Panorama/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU