Kundër shfaqjes së disa prej filmave të realizuar gjatë periudhës komuniste, shprehet edhe shkrimtari Ismail Kadare.
Sipas tij, është e patolerueshme që sot e kësaj dite të vazhdojnë të shfaqen filma, ku spiunimi konsiderohet vlerë. Deklaratën e tij ai e ka dhënë në Kosovë, gjatë një bashkëbisedimi me lexues, në teatrin e “Klan Kosova”.
Mes shumë pyetjesh që të pranishmit i drejtuan kandidatit për Çmimin “Nobel”, u shpreh interes edhe për mendimin që ka ai kundrejt debatit mbi kufizimin e shfaqjes së filmave të realizuar para viteve ’90.
“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”, u shpreh Kadare.
Përpara viteve ’90, janë realizuar disa filma me skenarë të mbështetur në romanet e shkrimtarit “Radiostacioni”, “Ballë për ballë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Të paftuarit” etj. /b.d