Kadare: Dorëshkrimin e “Dimrit të Vetmisë së Madhe” ja mora Nexhmijes me polici

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare i ka dhënë një intervistë dhënë pedagoges së letërsisë, Lili Sula. Intervista është përfshirë në librin me ese dhe studime “Kadare, leximi dhe interpretimi” përgatitur nga Ardian Ndreca.

Një ndër çështjet e prekura në këtë intervistë është edhe ajo e dorëshkrimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” dhe konflikti i Kadaresë disa vite më parë me të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila e posedonte këtë dorëshkrim.

“E mora me gjyq. Me polici. Enkas e fyeva publikisht. E mori veprën gjoja për ta ruajtur, pastaj e mohoi. Jo ma ka dhënë, jo s’ma ka dhënë. Dokrra të këtij lloji. S’e vërtetoi dot. Ia kam marrë me forcë. Para një viti. Policia i tha se do të shkonte t’i bastiste shtëpinë. Për të mos u turpëruar, e dorëzoi vetë. Ky është rasti më flagrant”­ – thotë Kadare.

Sipas tij nga arkiva nuk ka humbur asgjë deri më tani. “Tentoi Nexhmije Hoxha me “Dimrin e vetmisë së madhe”, por, nuk ia arriti” – thotë shkrimtari dhe shton:

“Është e natyrshme që dikush të pyesë: A është vërtet dramatike humbja e një dorëshkrimi të tillë në rastin kur vepra është botuar? Në një pamje të parë duket se dramaticiteti është i tepruar. Dhe këmbëngulja e N. Hoxhës për të mos dorëzuar dorëshkrimin, mund të merret për një lajthitje.

Në të vërtetë s’është ashtu. Në një dorëshkrim prej 1300 faqesh me dorë, siç është ai i “Dimrit”, ka disa qindra fraza të shuara, të rishikuara, të zëvendësuara, gjatë procesit të të shkruarit. Dhe ato janë zakonisht ndër frazat më delikate të librit, të cilat nuk figurojnë në asnjë daktilografim. Ato përbëjnë historinë gjenetike të një vepre. Zhdukja e tyre është një humbje e pazëvendësueshme për studiuesit, gjenetistët. Sidomos për një vepër të shkruar nën trysninë e tiranisë”.

Kadare thotë se Nexhmije Hoxha këmbënguli ta mbante dorëshkrimin që ta përdorte kundër tij:

“Ka shpresuar se ndonjë nga shërbëtorët e saj të shumtë, ca gjysmëprofesorë a gjysmëakademikë, të përpiqen që prej frazave të shuara të nxjerrin të dhëna kundër shkrimtarit (mendime kontradiktore etj, etj. E gjithë kjo është vërtet për të qarë e për të qeshur, ngaqë s’besoj se ka shkrimtar në botë që të shqetësohet për zhbirime të tilla. Që t’i bie shkurt, dorëshkrimi im gjendet në Arkivin e Shtetit dhe kushdo që dëshiron mund ta studiojë mbarë e mbrapsht”­ thotë Kadare.

Vetë Nexhmija ka këmbëngulur që dorëshkrimi i Dimrit i është dhuruar Enver Hoxhës nga shkrimtari. Madje ka edhe një dedikim. Dita

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU