A ka gisht Ilir Meta në negociatën e fundit?

Kërkesa e Ilir Metës për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje nuk është diçka e re. Ish-kreu i Kuvendit dhe aktualisht President i zgjedhur, qysh në fillimet e çadrës u tregua i gatshëm t’ia lëshonte Lulzim Bashës postet qeverisëse të LSI-së. Por a ka gisht Ilir Meta në negociatat e fundit teksa zyrtari i lartë amerikan ka rikthyer ofertën “McAllister” për opozitën e Bashës? Mesa duket po, për aq kohë sa Meta prej kohësh ka nisur të flasë si president duke predikuar marrëveshje me çdo kusht. Për më tepër, drejtues të lartë të LSI-së si Petrit Vasili apo Luan Rama janë shprehur se në zgjedhje pa opozitën nuk mund të shkohet.

Kreu aktual i LSI, Vasili, e ka paralajmëruar madje Lulzim Bashën se duhet ta pranonte paketën e David McAllister. Ai e ka quajtur një gabim të rëndë të PD-së refuzimin ndaj gjermanit, ndërsa ka kursyer në javën që lamë pas edhe sulmet ndaj Ramës. “Ne nuk duhet ta provokojmë opozitën me retorika kërcënuese apo shantazhuese. Retoria të tipit do të vetshkatërrohet nëse nuk hyn në zgjedhjet etj. Zgjedhjet e njëanshme janë rrezik për vendin” – tha Vasili pak ditë më parë.

Po ashtu edhe Luan Rama e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e Bashës si prodhim të një situatet ilegjitime sa u përket institucioneve që do të krijohen. Me fjalë të tjera, LSI ka vënë në pikëpyetje nëse do të jetë më në qeveri, apo institucionet dhe kabineti do të formohet vetëm nga shumica që Edi Rama do të sigurojë në zgjedhjet pa opozitën.

Ky duket se është shkaku pse Ilir Meta po kërkon ta fusë Lulzim Bashën me çdo kusht në zgjedhje. Me aq shumë kusht, sqë jo vetëm ishte gati t’i jepte postet ministrore, por edhe të largohet nga Presidenca pa e futur ende këmbën në zyrë. Të paktën kështu ka deklaruar vetë kreu i LSI në emër të asaj që e quan stabilitet.

Po përse e gjithë kjo sakrificë e një partie të njohur si e etur për pushtet? Mesa duket presidenti i zgjedhur po përpiqet deri në fund ta pengojë Ramën që të marrë 71 mandate i vetëm. Në këtë mënyrë, LSI do të ishte një faktor i pavlerë politik pas zgjedhjeve dhe askush nuk do t’i përulej për një marrëveshje 4-vjeçarë qeverisëse.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU