“Ju dhamë 2/3, nuk i pranojmë vendet e rezervuara”. Opozita rrethon Ramën

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot Jozefina Topallit në lidhje me akuzat e kësaj të fundit mbi pajisjen e përgjimit.

“Ti sot je e treta në bronz në PD dhe prisja prej teje të flisje për Reformën në Drejtësi. Dua të falenderoj Bashkimin Evropian dhe SHBA për përpjekjet e jashtëzakonshme për të krijuar kushtet për një proces gjithëpërfshirës. Në fakt të vetmit që nuk donin të përfshiheshin seriozisht ishit ju. Në lidhje me deklaratën e djeshme të SHBA, desha të them se drafti i reformës nuk është i PS, LSI apo PDIU por është drafti i përbashkët i shqiptarëve, i BE dhe i SHBA. Deklarata e djeshme ishte shprehja kuptimplotë e bashkëautorëve të një drafti ku mungon vetëm PD” – tha Rama.

Sipas tij, drafti do të vazhdojë rrugën e vet dhe qeveria do të vazhdojë të shtrijë dorën dhe do ta mbajë hapur derën e negociatave.

“Ne nuk na intereson fitorja politike dhe as nuk i gëzohemi disfatës tuaj” – tha kryeministri duke folur në Kuvend.

Rama tha se thelbi i suksesit do të ishte shembja e ngrehinës së kalbur të sistemit të sotëm të drejtësisë.

“Ju kam thënë 1 vit e gjysmë përpara se këtë sistem do ta shëembim përtokë me apo pa ju. Se ishte dhe Aldo që më thoshte se unë nuk bëj dot një ekspozitë në Amerikë” – ironizoi Rama.

Sa i përket publikimit të e-maileve të Euralius dhe OPDAT nga ana e PD, Rama tha se ishte një përpjekje e dëshpëruar për të provuar se opozita ka të drejtë.

“Ka një të vërtetë të freskët ndryshe nga datat që përmendët ju dje. Ju erdhët në komision për t’i thënë JO draftit të reformës dhe për të sjellë një draft të ri dhe të njëanshëm” – tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Ai u shpreh se mazhoranca nuk e pranon kërkesën e opozitës për vende të rezervuara ndërsa theksoi se kanë pranuar kërkesën e tyre për votim me 2/3.

Ndërkohë nga fjala e Ramës është acaruar fillimisht Flamur Noka i cili ka vajtur në foltoren e marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës. Pas Nokës, deputetë të tjerë jane konfrontuar me punonjësit e Gardës ndërsa regjia e Kuvendit ka ndërprerë sinjalin e transmetimit të seancës.

(java / r.a)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU